Frikë nga Orban/ Hungaria pret të marrë Presidencën e Këshillit të BE, Belgjika propozon heqjen e të drejtës së vetos

Frikë nga Orban/ Hungaria pret të marrë Presidencën e Këshillit të BE, Belgjika propozon heqjen e të drejtës së vetos

Hungaria do të marrë Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së në korrik të këtij viti. Por, shtetet anëtare kanë nisur të diskutojnë mbi mundësinë e heqjes së të drejtës së votës.

Ministrja e Jashtme belge, Hadja Lahbib, tha se BE-ja duhet t’i heqë Hungarisë të drejtën e votës për të mbrojtur të ardhmen e unionit.

Belgjika, e cila ka aktualisht presidencën e BE-së, është njëra prej vendeve anëtare që shprehin zhgënjim për kundërshtimin e Hungarisë ndaj planeve kyçe të BE-së – duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën në konfliktin me Rusinë.

“Mendoj se duhet të kemi guxim për të marrë vendime: të shkojmë drejt në fund të nenit 7, të aktivizojmë nenin 7 deri në fund, i cili parashikon fundin e së drejtës së vetos”, tha ajo.

 

 

Neni 7, i cili përfshin pezullim e të drejtës së votës, shpesh përmendet si “opsion bërthamor” kundër shteteve anëtare që konsiderohen se kanë shkelur vlerat e BE-së.

Parlamenti Evropian votoi për nisjen e procedurës kundër Hungarisë në vitin 2018, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Viktor Orban për minimin e sundimit të ligjit përmes sulmeve të supozuara ndaj medias dhe gjyqësorit – por procesi ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare.

Orban e ka kritikuar hapur qëndrimin perëndimor ndaj krizës në Ukrainë. Ai ka argumentuar se armatimi i Kievit kundër Moskës ka dështuar të ndalojë armiqësitë dhe sanksionet i kanë shkaktuar më shumë dëm BE-së sesa Rusisë.

Budapesti e ka përdorur vazhdimisht të drejtën e vetos për të bllokuar kufizimet tregtare ndaj Rusisë që ajo i sheh si kërcënim për interesat hungareze dhe për të kufizuar financimin për Ukrainën.

Lahbib akuzoi qeverinë Orban se ka “përvetësuar gjithnjë e më shumë një qëndrim transaksional, bllokues dhe veto” ndaj punëve të bllokut.

“Ky është momenti i së vërtetës,” tha ajo për kërcënimin e Nenit 7. “Nëse shkojmë deri në fund me këtë mekanizëm, ai duhet të funksionojë. Nëse nuk funksionon, duhet ta reformojmë. Kjo është e ardhmja e Bashkimit Evropian.”

Hungaria është i vetmi anëtar i BE-së që përballet aktualisht me procedura të tilla. Deri para pak kohësh, Brukseli kishte një raport të ngjashëm edhe me Poloninë, por me zgjedhjet e fundit që i dhanë drejtimin e vendit partisë proevropiane të Donald Tusk –ish-president i Këshillit Evropian – gjërat ndryshuan.

MARKETING