Francezët kritikojnë karikaturën e “Charlie Hebdo” për tërmetet vdekjeprurëse në Türkiye

Francezët kritikojnë karikaturën e “Charlie Hebdo” për tërmetet vdekjeprurëse në Türkiye

Revista franceze “Charlie Hebdo” shkaktoi kritika nga parisienët me karikaturën e saj të publikuar duke tallur Türkiyen, pasi vendi u godit nga dy tërmete katastrofike të hënën, raporton Anadolu.

Karikatura, e postuar në Twitter me titullin “karikatura e ditës”, tregon ndërtesa pranë shembjes dhe rrënojave, një automjet të përmbysur dhe grumbuj mbeturinash si pasojë e tërmeteve.

“Tërmet në Türkiye”, është shkruar sipër karikaturës dhe “Nuk ishte as nevoja për të dërguar tanke”, shkruhej në fund.

Njerëzit shprehën zhgënjimin dhe zemërimin ndaj “Charlie Hebdo”, revistës së përjavshme satirike, për publikimin e karikaturës edhe pse vazhdojnë përpjekjet e furishme të kërkimit dhe shpëtimit për të mbijetuarit e fatkeqësisë vdekjeprurëse.

Parisienët e intervistuar nga Anadolu komentuan karikaturën. Të gjithë emrat u ndryshuan për të mbrojtur identitetin e tyre.

Thomas, 24-vjeç, tha se “Charlie Hebdo” po përpiqej të ishte qesharak, por kjo është një gjë “e ndërlikuar” ta bësh kur bëhet fjalë për një tragjedi si tërmetet vdekjeprurëse.

“Nuk ishte fare për të qeshur, ishte shumë e kotë për të bërë të qeshësh”, tha ai.

“Në fund të fundit, nuk mendoj se është roli i tyre në përgjithësi. Përkundrazi duhet të jetë për të dhënë informacione. Humor, ka profesionistë për këtë”, tha Thomas.

Benoit, një tjetër i ri, tha për Anadolu se situata në ato vende është shumë e rëndë.

“Ne duhet t’u japim atyre mbështetje të jashtëzakonshme. Sa i përket karikaturave, njerëzit duhet t’i mbështesin dhe të vizatojnë karikatura që tregojnë mbështetjen tonë së bashku”, nënvizoi ai.

Duke vënë në dukje luftën në Ukrainë dhe lajmet e fundit se disa vende duan të dërgojnë tanke atje, ai kritikoi karikaturën në një farë mënyre duke u përpjekur të lidhte “dërgimin e tankeve” me tërmetet vdekjeprurëse.

“Unë mendoj se nuk lidhet me asgjë dërgimi i tankeve atje”, vazhdoi ai.

Simone shprehu dhimbjen për viktimat dhe kritikoi “humorin jashtëzakonisht të zi” të revistës.

Amandine tha se karikatura shihet si një përpjekje e ulët për të tërhequr vëmendjen. “Kjo nuk është hera e parë që gazetarët (Charlie Hebdo) përpiqen t’i bëjnë njerëzit të flasin për ta. Unë nuk e shoh këtë karikaturë si diçka të mirë, është absurde të shohësh këtë fotografi edhe sot”, tha ajo.

Revista “Charlie Hebdo” është e njohur për karikaturat e saj që fyen profetin Muhamed.

Në tërmetet katastrofike në Türkiye humbën jetën 8.574 persona dhe mbi 49 mijë të tjerë u plagosën në 10 provinca të vendit, sipas shifrave të fundit zyrtare.

Të hënën herët në mëngjes, një tërmet me magnitudë 7.7 goditi provincën Kahramanmaras dhe provincat përreth, e cila u pasua nga një tërmet me 7.6 ballë rreth nëntë orë më vonë.

Tërmetet u ndjenë edhe në disa vende fqinje të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

MARKETING