Francë, mbi 1 miliard euro dëme nga protestat kundër vrasjes së të riut
Dëmet nga protestat e zhvilluara në Francë pas vrasjes së një të riu nga policia, vlerësohen në mbi 1 miliard euro, transmeton Anadolu.
Ndërhyrja e policisë ndaj protestuesve vazhdoi edhe në natën e gjashtë të protestave të cilat filluan në Francë pasi policia vrau një të ri.
Sipas mediave franceze, deri më tani përreth Parisit janë arrestuar 17 persona në natën e gjashtë të protestave që filluan pasi i riu Nahel M., u vra nga policia në qytetin Nanterre më 27 qershor.
– Mbi 1 miliard euro dëme nga protestat
Kreu i Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve Francezë (MEDEF), Geoffroy Roux de Bezieux tha se protestat kanë shkaktuar një dëm mbi 1 miliard euro.
Ai theksoi se 200 dyqane janë plaçkitur plotësisht, 300 degë të bankave janë shkatërruar plotësisht dhe se nga protestat janë prekur 250 dyqane që tregtojnë duhan.
– Protestat e dhunshme në Francë
Policia franceze më 27 qershor në qytetin Nanterre hapi zjarr ndaj një automjeti në të cilin ndodheshin 3 persona dhe vrau 17-vjeçarin, Nahel M., drejtuesin e automjetit.
Personat që kanë reaguar ndaj vdekjes së Nahel M., kanë dalë në rrugët e qyteteve të ndryshme në të gjithë vendin dhe janë përleshur me policinë.
Polici i cili qëlloi të riun u pezullua nga detyra dhe u vendos të gjykohet nën masën e arrestit.
Gjithashtu në protestat e mbajtura në shumë qytete, përfshirë Parisin, Marsejën dhe Lionin ndodhën plaçkitjeve ndërsa në rreth 10 qytete u shpall orë policore për ndalimin e daljes në rrugë që nga ora 21:00.