Franca rikonfirmon refuzimin për të marrë pjesë në luftën ndaj Iranit

Franca rikonfirmon refuzimin për të marrë pjesë në luftën ndaj Iranit

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, rikonfirmoi refuzimin e vazhdueshëm të Francës për të marrë pjesë në luftën SHBA-Izrael ndaj Iranit, transmeton Anadolu.

“Franca nuk ka hyrë në luftë që nga fillimi i kësaj krize. E kemi thënë këtë: pasi objektivat nuk ishin të përcaktuara qartë dhe operacionet u zhvilluan jashtë kornizës së ligjit ndërkombëtar, ishte thjesht e paimagjinueshme që Franca të merrte pjesë” tha Barrot për transmetuesin BFM TV.

Ai ritheksoi nevojën për të parandaluar rifillimin e armiqësive në kuadër të negociatave.

“Siç e ka parë të gjithë që nga fillimi i kësaj lufte, të cilën nuk e kemi mbështetur dhe në të cilën nuk kemi marrë pjesë, rreziqet e përshkallëzimit janë jashtëzakonisht të larta. Ato sjellin pasoja të mëdha për ekonominë globale dhe për rrjedhojë për jetën tonë të përditshme”, theksoi Barrot.

Ai nënvizoi se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet, duke kujtuar se po përgatisin një mision ndërkombëtar për të krijuar kushtet e nevojshme për rikthimin e trafikut.

“Nuk mund të ketë bllokime, as shantazhe dhe as tarifa në asnjë ngushticë. Ujërat ndërkombëtare nuk duhet të pengohen në asnjë mënyrë nga askush”, shtoi Barrot.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani ndaj aleatëve amerikanë në Gjirin Persik dhe duke bllokuar këtë rrugë ujore kyçe përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë dhe gaz. Lufta aktualisht është në pezull, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund përfundimtar vazhdojnë.

MARKETING