Franca e Arabia Saudite do të organizojnë konferencë për konfliktin izraelito-palestinez

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të hënën se Franca do të bashkëorganizojë një konferencë ndërkombëtare në muajt e ardhshëm me Arabinë Saudite, që synon të avancojë një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
“Ne do të veprojmë, duke shikuar drejt një konference ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete, të cilën Franca do ta organizojë bashkë me Arabinë Saudite”, tha Macron në një konferencë për shtyp me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.
Macron tha se nisma do të përgatitet në koordinim të ngushtë me partnerët rajonalë, përfshirë Kajron. Ai theksoi nevojën për një zgjidhje politike për të siguruar stabilitet afatgjatë në rajon.
“Por, ne kemi bindjen e thellë, se është me të vërtetë vetëm përgjigja politike që do të sigurojë stabilitet dhe siguri në Gaza dhe në të gjithë rajonin, dhe është në këtë frymë që ne do të veprojmë”, shtoi ai.
Duke iu drejtuar krizës humanitare në Gaza, Macron vuri në dukje: “Ne dënojmë rifillimin e sulmeve izraelite në Gaza, të cilat përbëjnë një pengesë dramatike për popullatën civile, pengjet, familjet e tyre dhe të gjithë rajonin. Ne bëjmë thirrje për një kthim të menjëhershëm të armëpushimit dhe lirimin e të gjithë pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi në Gaza.”
“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri zhvendosjen e popullsisë dhe çdo aneksim të Gazës dhe Bregut Perëndimor”, shtoi ai.
“Kjo do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për sigurinë e gjithë rajonit, përfshirë atë të Izraelit”, shtoi ai.
Ai shprehu gjithashtu mbështetje për rindërtimin e Gazës.
“Përsëris mbështetjen time për planin e rindërtimit të Gazës të miratuar nga Liga Arabe më 4 mars dhe përshëndes këtu punën vendimtare të Egjiptit në këtë plan, i cili ofron një rrugë realiste për rindërtimin e Gazës dhe gjithashtu duhet të hapë rrugën për qeverisjen e re palestineze në enklavën e udhëhequr nga Autoriteti Palestinez”, theksoi ai.
Macron mbërriti në Kajro të dielën për një vizitë treditore në Egjipt për bisedime me zyrtarët egjiptianë mbi lidhjet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale. Udhëtimi i tij filloi me një turne në Muzeun e Madh Egjiptian në Kajron perëndimore dhe një shëtitje nëpër rrugët e tij historike, veçanërisht në pazarin Khan el-Khalili.
Një samit trepalësh për ta diskutuar situatën në Gaza është planifikuar për të hënën midis Sisit, Macron dhe mbretit të Jordanisë Abdullah II.
Samiti vjen pasi ushtria izraelite përshkallëzoi sulmet e saj në territorin palestinez, ku më shumë se 1.300 njerëz janë vrarë dhe 3.400 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore që nga 18 marsi, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve.
Më shumë se 50.700 palestinezë janë vrarë në enklavë në sulmet brutale izraelite që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.