Formula 1: Sergio Perez fiton garën e parë Sprint në Baku të Azerbajxhanit

Formula 1: Sergio Perez fiton garën e parë Sprint në Baku të Azerbajxhanit

Gara e parë Sprint e këtij sezoni që u zhvillua në pistën e Baku në Azerbajxhan u fitua nga ana e Sergio Perez.

Pas meksikanit u rendit Charles Leclerc ndërsa në vend të tretë e mbylli Max Verstappen. Ky i fundit u bë protagonist që në start ku pati një duel në limitet e rregullores me George Russell të Mercedes. Britaniku e parakaloi holandezin në xhirot e para, por dukshëm mes tyre pati një kontakt me Russell që e shtyu Verstappen.

Dy herë Kampioni i Botës u ankua në komunikimet me radion, por organizatorët nuk morën asnjë masë duke e konsideruar si një kontakt gare. Gjithsesi, gjatë xhirove të mbetura, Verstappen e parakaloi Russell duke u ngjitur në podium. Por, pasi mbaroi gara të dy patën disa sekonda konfrontim, me Verstappen që ja bëri të qartë Russell se gaboi dhe se në rastin e parë do t’ia kthente reston në pistë.

“Më vjen keq, nuk e bëra me qëllim”, ishin fjalët e Russell, por që nuk e “zbutën” Verstappen. “Duhet t’i lejojmë më shumë hapësirë njëri-tjetrit, ndaj nëse unë të bëj të njëjtën gjë në pistë mos u habit. Idiot”, ia ktheu Verstappen. Tashmë, mbetet për t’u parë si do të vijojë dueli mes dyshes teksa në garën e së dielës, dy pilotët janë larg njëri-tjetrit me Verstappen që niset i dyti dhe Russell i 11-ti.

MARKETING