Forcohet e djathta ekstreme në Francë, partia e Le Pen siguron për herë të parë vend në Senat
Tubimi Kombëtar (RN) i ekstremit të djathtë në Francë dhe aleati i tij, Unioni i së Djathtës për Republikën (UDR), fituan 15 vende në zgjedhjet e së dielës për Senatin, duke siguruar numër të mjaftueshëm ligjvënësish për të formuar për herë të parë një grup në dhomën e lartë, raportoi sot “Franceinfo”, transmeton Anadolu.
Udhëheqësja e RN-së, Marine Le Pen e cilësoi rezultatin si “fitore historike”. Fitimet erdhën pas përparimit të aleancës në zgjedhjet komunale dhe më pak se shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale të Francës.
Aleanca RN-UDR fitoi nëntë vende në rajonin e Mesdheut, përfshirë shtatë në Provence-Alpes-Cote d’Azur. Ligjvënësi i RN-së, Sebastien Chenu tha se rezultati “plotëson praninë tonë në të gjitha institucionet franceze”.
Sipas rregullave të Senatit, një grup politik duhet të ketë të paktën 10 anëtarë. Formimi i një grupi u jep partive më shumë kohë për të folur dhe burime si dhe rol më të madh në punën parlamentare.
E djathta, Qendra dhe Partia Socialiste pritet të mbeten tre forcat më të mëdha në Senat. Republikanët konservatorë mund të humbin rreth shtatë vende, sipas një numërimi të pjesshëm ndërsa përkatësitë politike dhe disa rezultate nga territoret jashtë Francës ende nuk janë përfundimtare.
Zgjedhjet sollën për herë të parë në Senat partinë e majtë “France Insoumise” (LFI), me Gabriel Amard-in që fitoi një vend në departamentin Rhone. Partia pretendon gjithashtu një senator të dytë, Marc Pere në Haute-Garonne, megjithëse përkatësia e tij partiake mbetet e diskutueshme.

