Fondacioni Maarif i Turqisë organizon program iftari në Shkup
Përfaqësia e Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV) në Maqedoninë e Veriut ka organizuar një program iftari në kryeqytetin Shkup, transmeton Anadolu.
Programi i iftarit u mbajt në shkollën e TMV-së në Shkup nën patronazhin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, ndërsa në të morën pjesë zv/kryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, politikanë nga vendi, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, zv/kryeministri Sali përmendi bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në fushën e arsimit, kulturës dhe institucioneve shkencore.
Ai theksoi kontributin e Fondacionit Maarif në bashkëpunimin arsimor ndërmjet dy vendeve, duke shtuar se arsimi dhe kultura janë ura që afrojnë popujt dhe pasurojnë shoqëritë.
Ndërkaq, ambasadori Ulusoy tha se arsimi përbën një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Shkollat e Fondacionit Maarif të Turqisë, të cilat janë bartëse të flamurit të vendit tonë në fushën e arsimit jashtë vendit, që nga viti 2018 ofrojnë arsim në Maqedoninë e Veriut dhe shërbejnë si një urë që çon përpara jo vetëm individët, por edhe shoqëritë”, tha ambasadori turk.
Përfaqësuesi i TMV-së për Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgül, nga ana e tij, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në iftarin e organizuar nga TMV, i cili sipas tij nisi tetë vjet më parë me synimin për të edukuar njerëz për të mirën e botës dhe sot ka evoluar në një organizatë globale arsimore që zhvillon aktivitete arsimore në 64 vende të botës.

