Flamuri i UÇK-së i ndaluar në Tiranë: Policia e shtetit largon flamurin nga stadiumi, por edhe një tifoz që kishte veshur një fanellë të tillë

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në stadiumin kombëtar Air Albania gjatë ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi, ku Policia e Shtetit ka ndërhyrë për të ndaluar shfaqjen e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ka larguar nga stadiumi edhe një tifoz që mbante veshur një fanellë me këtë simbol.
MARKETING
Ky veprim ka ngjallur reagime të forta në rrjete sociale dhe në opinionin publik, veçanërisht në Kosovë, ku flamuri i UÇK-së vlerësohet si simbol i lirisë, qëndresës dhe sakrificës për çlirim.
Ngjarja ndodhi në një nga ndeshjet më të ngarkuara emocionalisht për shqiptarët, ku Shqipëria ishte nikoqire e Serbisë, në një përballje që tejkalon fushën e sportit dhe prek dimensione historike, politike dhe kombëtare.
Shfaqja e flamurit të UÇK-së nga tifozët nuk ishte e rastësishme, ishte një shprehje krenarie dhe kujtese kolektive për sakrificën e luftës për liri.
Megjithatë, para fillimit të ndeshjes efektivët e Policisë së Shtetit ndërhynë për të larguar flamurin.
E më vonë ishte një moment edhe më i rëndë, ku mbi 20 policë e rrethuan një tifozë që po mbante veshur një fanellë me stemën e UÇK-së. Përkundër se tifozët tjerë u munduan ta mbronin tifozin, ai u kap nga forcat e Policisë së Shtetit dhe u u largua nga stadiumi.
Pamjet dhe dëshmitë tregojnë se veprimi u krye në mënyrë të rreptë, dhe pa ndonjë shpjegim të menjëhershëm për publikun.
Sipas Kodit Penal dhe ligjeve shqiptare, nuk ka ndalim ligjor për simbolet e UÇK-së. Në të vërtetë, Shqipëria ka qenë mbështetëse e fuqishme e Kosovës dhe e luftës çlirimtare.
Madje shumë nga ish-krerët e UÇK-së janë nderuar në Shqipëri dhe kanë marrë shtetësinë shqiptare.
Të ndalohet në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket e pabesueshme dhe nuk ka pasur lajme se ka një urdhër të brendshëm për ndalimin e simboleve të UÇK-së.
Megjithatë veprimet e Policisë së Shtetit kanë irrituar shumë tifozët që nuk janë pajtuar asesi me mënyrën si është larguar flamuri i UÇK-së, por edhe tifozi që mbante një fanellë veshur me atë stemë të artë.
Deri në këtë moment, institucionet e Kosovës nuk kanë dalë me një reagim zyrtar, megjithëse ngjarja ka prekur thellë opinionin kosovar. Ndërkohë, në Shqipëri po kërkohet sqarim nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për këtë ndërhyrje të pazakontë.
Nga Kosova pritet një qëndrim dinjitoz institucional, që të mbrojë jo thjesht një flamur, por atë që ai përfaqëson: gjakun, dinjitetin dhe luftën për liri të një populli që ende sot paguan koston politike të kësaj sakrifice. /Telegrafi/