Finlanda premton 400 milionë euro ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Finlanda premton 400 milionë euro ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

Finlanda ka premtuar një ndihmë të re prej 400 milionë eurove për mbrojtjen e Ukrainës, paketa e saj më e madhe deri më tani që nga pushtimi rus.

“Vlera e kombinuar e të gjitha paketave të materialeve të mbrojtjes të dorëzuara deri më tani është tani 590 milionë euro”, njoftoi ministria e Mbrojtjes e Finlandës.
Deklarata nuk përfshin detajet e paketës, duke përmendur shqetësimet e sigurisë. Një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes i tha CNN se paketa nuk përfshin asnjë tank Leopard 2.

Finlanda ka dhuruar më parë artileri të rëndë dhe municione për Ukrainën, deklaroi ministria.
Vendi skandinav do të jetë një nga më shumë se 50 vendet e përfaqësuara në një takim të organizuar sot nga Shtetet e Bashkuara në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ku udhëheqësit do të diskutojnë mbështetjen e vazhdueshme për Kievin.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz është nën presion të madh për t’i dhuruar tanke Leopard 2 forcave ukrainase.
Finlanda dhe Suedia, të cilët vitin e kaluar aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO, do të nënshkruajnë një “Deklaratë synimi për mbështetjen e Ukrainës” në takimin e sotëm (e premte).

“Mbështetja e përbashkët për Ukrainën është një shenjë e besimit të thellë të ndërsjellë dhe bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë të mbrojtjes midis Finlandës dhe Suedisë”, shtoi ministria.

Ndryshe, SHBA-ja ka bërë të ditur se ka ndarë edhe 2.5 miliardë dollarë për mbrojtjen e Ukrainës.

MARKETING