Finalja e Kupës, Inter “prova gjenerale” me Fiorentinën para Cityt

Finalja e Kupës, Inter “prova gjenerale” me Fiorentinën para Cityt

Stadiumi “Olimpico” në Romë do të mirëpresë finalen e madhe të Kupës së Italisë, Fiorentina – Inter, në atë që konsiderohet prova e parë e vërtetë për të dyja ekipet para finaleve europiane.

Skuadra e Vincenzo Italiano, mbërrin në këtë finale falë një rrugëtimi magjik. Fillimisht duke eleminuar Sampdorian në fazën e 1/8-ve, më tej Torinon dhe në gjysmëfinale surprizën e bukur Cremonese.  Megjithatë, Fiorentina ka bërë një sezon për t’u harruar në Seria A, pasi ndodhen në vendin e 11 shumë larg zonës europiane, dhe për të marrë pjesë në Europa League, italianët do të duhet të fitojnë 1 nga 2 finalet e mundshme.

Fiorentina e ka fituar 6 herë Kupën e Italisë, megjithatë ky trofe i mungon ekipit vjollcë që prej vitit 2001, pasi në 2014 u mundën në finale nga Napoli.

Në anën tjetër Interi kërkon të mbrojë trofeun e Kupës së Italisë, pasi skuadra e Simone Inzaghit ja doli mbanë të triumfonte për herë të fundit në finalen e madhe përballë Juventusit vetëm në shtesë me rezultatin 2-4.

Interi e ka fituar tetë herë më parë Kupën e Italisë dhe në rast triumfi do të barazonte Romën me nëntë trofe, teksa kryesimin vijon ta mbajë Juventus me 14 tituj.

Për skuadrën e Simone Inzaghit do të jetë një provë e vërtetë përpara finales së madhe të Champions League përballë Manchester Cityt. “Zikaltërit” nuk do të kenë në dispozicion në këtë sfidë mbrojtësin Milan Skriniar dhe mesfushorin Henrikh Mkhitaryan i cili nuk luajti as në sfidën përballë Napolit.

Përsa i përket historisë kjo do të jetë finalja e parë mes dy skuadrave në Kupën e Italisë. Ndërsa këtë sezon në dy sfidat mes tyre në Seria A, Interi ia doli mbanë të triumfonte fillimisht me rezultatin 3-4, teksa Fiorentina e mposhti në ndeshjen e dyte në San Siro me rezultatin minimal 0-1.

MARKETING