Fillon prishja e objektit të vjetër të Shkollës së Mesme Tekstile – hapet rruga për dy shkolla moderne në Tetovë

Sot, Komuna e Tetovës ka nisur zyrtarisht prishjen e objektit të vjetër të Shkollës së Mesme Tekstile, një institucion me histori të gjatë dhe të pasur arsimore, ku kanë mbaruar gjenerata të tëra nxënësish të shkëlqyer.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se në vend të objektit të vjetër do të ndërtohen dy shkolla të reja dhe moderne: gjimnazi “7 Marsi” dhe shkolla e mesme tekstile “Gjoce Stojçevski”.
“Të dy objektet e reja do të jenë funksionale, me kushte dinjitoze, standarde bashkëkohore dhe teknologji të avancuar – që do t’u përgjigjen nevojave të brezave të rinj,” tha Kasami.
Ai theksoi se investimi është pjesë e përkushtimit për të zhvilluar çdo sferë të pushtetit lokal, “edhe atje ku të tjerët nuk besojnë”, duke shtuar se çdo investim VLEN.