Filloi trajnimi për zjarrfikësit e ardhshëm – interesimi më i ulët se pritshmëritë

Në organizim të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), ka nisur trajnimi për kandidatët që janë paraqitur në thirrjen publike të Qeverisë për angazhimin e zjarrfikësve të rinj. Qëllimi i këtij trajnimi është forcimi i kapaciteteve për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, njofton Pressonline.al.
Drejtori i DMSH-së, Stojançe Angellov, bëri të ditur se të gjithë kandidatët që kanë kaluar fazën e përzgjedhjes i kanë plotësuar kushtet e nevojshme dhe, pas përfundimit të trajnimit, do të sistemohen në ato komuna ku ka më shumë nevojë për staf të tillë.
Ndërkaq, kryetari i Unionit Kundër Zjarreve sqaroi se trajnimet nuk po zhvillohen vetëm në Shkup, por edhe në 12 qytete të tjera të vendit. Në total, po trajnohen 364 persona, të cilët pas certifikimit do të kthehen për të shërbyer në komunat përkatëse.
Ky proces vjen pas shpalljes së Qeverisë për rekrutimin e 400 zjarrfikësve të rinj. Megjithatë, interesimi ka qenë nën pritjet – veçanërisht në Shkup, ku për 80 vende të lira aplikuan vetëm 50 persona. Si një nga arsyet kryesore për interesimin e ulët përmendet paga, e cila është rreth 24.000 denarë.