Filipçe: Rruga evropiane duhet të mbetet prioritet, çdo prolongim është një hap prapa
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, ka zhvilluar të premten një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas. Fokusi i bisedës ishte procesi i integrimit evropian, përkatësisht rëndësia e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë rrugën evropiane, si dhe nevoja për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt hapjes së kapitujve të negociatave me BE-në. Gjatë takimit u theksua se integrimi i shtetit është çështje e interesit kombëtar dhe se vonesa për përmbushjen e kushteve të kornizës së negociatave është një hap prapa për të ardhmen e qytetarëve.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka shprehur shqetësimin për politikat e qeverisë aktuale për procesin e integrimeve evropiane, për të cilin, siç tha ai, aktualisht është në ngecje që nga ndarja nga Shqipëria. Ndërkohë, ai premtoi se LSDM do të mbështesë çdo proces që e afron vendin me BE-në.
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Ajo që është shqetësuese është fakti se qeveria aktuale nuk ka një strategji të qartë se çfarë do të bëjë në vijim, cilët janë hapat e ardhshëm dhe nëse ka ndonjë vullnet politik për të vazhduar procesin integrues. Çdo vonesë në hapjen e kapitujve është në fakt një hap prapa. LSDM mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë konstruktive në lidhje me këtë çështje”,u shpreh Filipçe. /SHENJA/