Filipçe: LSDM ka treguar kujdes të vërtetë për qytetarët edhe në kohë krizash

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, deklaroi se ndryshe nga VMRO-DPMNE, e cila sipas tij nuk ndërmerr masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, LSDM ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe sektorit privat, sidomos gjatë periudhave të krizave të njëpasnjëshme.
“LSDM ka qenë në pushtet për shtatë vjet, gjatë të cilave pothuajse çdo vit u përballëm me ndonjë krizë – krizën e COVID-19, krizën energjetike dhe atë ekonomike. Por në të gjitha këto sfida, vepruam me hapa konkretë për të mbrojtur qytetarët. Madje, edhe në kohë krize, rritëm pagat,” theksoi Filipçe.
Ai kujtoi se qeveria e drejtuar nga LSDM miratoi nëntë paketa antikrizë me vlerë prej 2.6 miliardë eurosh, të cilat kontribuan në mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik.
“Me ato masa u shpëtuan 80,000 vende pune në 20,000 kompani. Më shumë se 660,000 familje morën mbështetje për pagesën e faturave të energjisë elektrike, duke mos ndjerë kështu tronditjen e rritjes së çmimeve,” u shpreh ai.
Filipçe theksoi gjithashtu se gjatë qeverisjes së LSDM-së, paga minimale është rritur tre herë, ndërsa edhe paga mesatare ka njohur një rritje të vazhdueshme.