Fidan: Türkiye riafirmon mbështetjen ndaj sovranitetit dhe unitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan riafirmoi “mbështetjen e palëkundur” të Türkiyes për integritetin territorial, sovranitetin dhe unitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, raporton Anadolu.
“Qëndrimi ynë është i njohur për të gjitha palët në Bosnjë dhe në rajon. Unë riafirmova edhe një herë mbështetjen tonë të palëkundur për integritetin territorial, sovranitetin dhe unitetin politik të Bosnjë dhe Hercegovinës”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij boshnjak Elmedin Konakoviq dhe atë kroat Gordan Grlic Radman në qytetin e Dubrovnikut në Kroaci.
Duke theksuar se Bosnja dhe Kroacia janë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajon, Fidan tha se gjatë takimit të tyre diskutuan disa tema, duke përfshirë zhvillimet aktuale politike në Bosnjë dhe projektet konkrete të përbashkëta.
“Shpresojmë që ato (projektet) të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit tonë”, tha më tej ai.
Duke shprehur shqetësimin e Ankarasë për retorikën dhe veprimet e vazhdueshme përçarëse në Bosnjë, Fidan tha se krijimi i një mjedisi pajtimi është thelbësor për progresin.
“Më në fund, ne prekëm temën e lidhjes dhe projekteve të infrastrukturës në Bosnjë dhe Kroaci”, shtoi ai.
Duke thënë se takimi ishte i frytshëm për sa i përket shkëmbimit të mendimeve, Fidan shprehu vullnetin që këto takime të zhvillohen rregullisht për avancimin e bashkëpunimit rajonal.