Fidan: Paqja e drejtë dhe e qëndrueshme nuk mund të arrihet duke dëbuar palestinezët nga tokat e tyre

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme nuk mund të arrihet duke dëbuar palestinezët nga tokat e tyre, si dhe ka theksuar se toka nuk është subjekt për negociata, raporton Anadolu.
Shefi i diplomacisë turke foli në seancën “Situata gjeopolitike globale” në Johannesburg të Afrikës së Jugut në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të G20-tës.
“Rruga për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme nuk është përmes dëbimit të miliona palestinezëve nga tokat e tyre. Toka për të cilën palestinezët kanë bërë sakrifica të mëdha nuk është subjekt i negociatave. Zgjidhja me dy shtete, edhe pse e vonuar, mbetet e vetmja rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme. Dështimi për të zbatuar këtë zgjidhje vetëm do të vazhdojë ciklin e konfliktit”, tha Fidan.
Ai tha se konfliktet po bëhen më të gjata, më shkatërruese dhe më të përhapura se në çdo pikë të historisë së fundit.
Fidan gjithashtu tha se zhvendosja e miliona njerëzve, presioni dërrmues mbi sistemet e ndihmës humanitare dhe dobësitë e vazhdueshme globale të shkaktuara nga ndërprerjet ekonomike vazhdojnë të përsëriten.
Sipas tij, përparimet e shpejta, veçanërisht në fushat e inteligjencës artificiale dhe robotikës, po ri-përcaktojnë botën dhe institucionet shumëpalëshe po përpiqen të mbeten efektive përballë dinamikës së ndryshimit të fuqisë.
“Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk është në gjendje të përmbushë përgjegjësitë e tij për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në një mjedis global jashtëzakonisht të polarizuar”, tha Fidan.
– “Heqja e pakushtëzuar e sanksioneve, e nevojshme për rimëkëmbjen e Sirisë”
Më tej, Fidan foli edhe për zhvillimet e fundit në Siri, duke i quajtur “inkurajuese”. Ai shtoi se në Siri janë ndërmarrë hapa kuptimplote drejt një procesi tranzicional gjithëpërfshirës dhe përfaqësues.
“Ekziston një vendosmëri e fortë për t’i trajtuar të gjitha grupet etnike dhe fetare në mënyrë të barabartë. Angazhimi për të luftuar terrorizmin vazhdon në mënyrë të palëkundur. Shqetësimet e vendeve të rajonit po trajtohen. Kontrolli i armëve kimike mbetet një prioritet. Që rimëkëmbja e Sirisë të përparojë në mënyrë kuptimplote, heqja e pakushtëzuar e sanksioneve është e nevojshme”, theksoi Fidan.
Ai foli edhe për zhvillimet në Ukrainë, duke theksuar se diplomacia mbetet “rruga e vetme”. Ai deklaroi se derisa Türkiye përkrah një zgjidhje diplomatike, ajo gjithashtu vazhdon të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Më tej, Fidan tha se Afrika është bërë një nga gur themelet e politikës së jashtme të Türkiyes përmes investimeve të rëndësishme në fushën politike, ekonomike, sociale, të sigurisë dhe të asaj humanitare.
Shefi i diplomacisë turke theksoi qëndrimin mikpritës të Ankarasë ndaj ndikimit global në rritje të Afrikës, si dhe përsëriti angazhimin e vendit të tij për partneritetin strategjik me Unionin Afrikan.
“Türkiye do të vazhdojë të mbrojë vendin e merituar të Afrikës në rendin global dhe të sigurojë që zëri i saj të dëgjohet më shumë në sistemin shumëpalësh”, theksoi ai.