Fidan: Mbështetja e SHBA-së po mundëson veprimet e Izraelit në Gaza
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan theksoi rolin e mbështetjes së SHBA-së në mundësimin e veprimeve të Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.
Fidan i bëri këto komente duke folur për kanalin turk të lajmeve NTV të mërkurën, teksa diskutonte politikën e jashtme.
Duke vënë në dukje pabarazinë thelbësore në qëndrimin midis Türkiyes dhe SHBA-së për luftën në Gaza, Fidan tha se SHBA-ja e mbështet pa kushte Izraelin në lidhje me Gazën, ndërsa Türkiye e ka mbështetur pa kushte Palestinën që në fillim.
Ai tha se është e rëndësishme që një shtet të jetë në gjendje të bëjë dallimin midis fushave të konfliktit dhe bashkëpunimit në marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera, ndërsa vuri në dukje se Ankaraja dhe Washingtoni gjithashtu bashkëpunojnë në fusha të caktuara si NATO dhe disa çështje teknologjike.
“Në çështjen e Gazës, në çështjen palestineze, nuk është e mundur që Izraeli të veprojë me kaq guxim, që ka arritur në gjenocid, pa mbështetjen e pakushtëzuar ushtarake dhe politike të SHBA-së. SHBA-ja e bën të mundur këtë”, tha ai.
Fidan pranoi gjithashtu se Ankaraja dhe Washingtoni aktualisht ndajnë gjuhë të përbashkët mbi domosdoshmërinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe ofrimin urgjent të ndihmës humanitare për enklavën e rrethuar.
Ai tha se ata po ashtu pajtohen që pa një zgjidhje me dy shtete, çështja do të vazhdojë si një problem i përsëritur.
Lidhur me rastin e gjenocidit të paraqitur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), kryediplomati turk vuri në dukje se Afrika e Jugut është vendi më i përshtatshëm për ta bërë këtë për shkak të historisë së saj të kapërcimit të një regjimi racist të aparteidit dhe përvojës së drejtpërdrejtë me shtypjen.