Fidan: Korridori i Mesëm shfaqet si rruga më e besueshme tregtare midis Azisë dhe Evropës
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan theksoi rolin jetik të Korridorit të Mesëm si një rrugë tregtare strategjike dhe efikase që lidh Azinë dhe Evropën, raporton Anadolu.
“Sfidat kanë treguar se Azia Qendrore, Deti Kaspik, Kaukazi dhe Türkiye, përkatësisht Korridori i Mesëm, ofrojnë rrugën më të besueshme dhe më ekonomike për tregtinë midis Azisë dhe Evropës”, tha ministri Fidan në hapjen e takimit të dytë trepalësh të ministrive të Punëve të Jashtme, Transportit dhe Tregtisë së Türkiyes, Azerbajxhanit dhe Uzbekistanit.
Fidan vuri në dukje se ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit pas pandemisë globale dhe konflikteve që shpërthyen në rajon kanë tronditur shtyllat themelore të sistemit global.
Ai theksoi se kriza energjetike e shkaktuar nga sanksionet dhe kundërsanksionet ka rritur rëndësinë gjeostrategjike të Azisë Qendrore dhe Kaukazit, duke e pozicionuar më tej Türkiyen si një qendër energjetike.
– Thirrje për mbështetje për Sirinë
Duke nënvizuar se zhvillimet “të kënaqshme dhe premtuese” në Siri kanë hapur një dritare të re mundësish për rajonin, Fidan tha: “Ne duhet të mbështesim rindërtimin dhe zhvillimin e Sirisë dorë për dore”.
“Stabiliteti dhe përparimi i Sirisë do të sigurojë stabilitet dhe siguri rajonale, duke sjellë mundësi të reja në logjistikë, transport, tregti dhe energji”, vuri në dukje ai.
Fidan tha se Türkiye, Azerbajxhani dhe Uzbekistani do të diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit në lidhje me projektet e lidhjes dhe partneritetet politike dhe ekonomike gjatë takimit.
Në takim do të përcaktohet një udhërrëfyes për hapat konkretë që do të ndërmerren në të ardhmen, tha ai, duke shtuar: “Si pikë e parë e rendit të ditës, do të vlerësojmë zhvillimet që prekin nga afër vendet dhe rajonin tonë përsa i përket çështjeve të politikës së jashtme dhe bashkëpunimit rajonal me homologët tanë azerbajxhanas dhe uzbek”, tha Fidan.
Pika e dytë e rendit të ditës, vuri në dukje ai, do të fokusohet në rritjen e bashkëpunimit në tregti, ekonomi dhe investime, duke vënë në dukje vëllimin në rritje të tregtisë së Türkiyes dhe rritjen e tregtisë me botën turke.
Kryediplomati turk përmendi gjithashtu se ministrat e transportit të tre vendeve “vëllazërore” do të diskutojnë zhvillimin e rrjeteve rajonale të transportit dhe forcimin e bashkëpunimit në sektorët e transportit dhe komunikimit.
Në takimin e zhvilluar në Ankara morën pjesë edhe ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Abdulkadir Uraloğlu.
Në fund të takimit trepalësh u nënshkrua “Deklarata e Ankarasë”.
– Takimi trepalësh
Takimi i parë në këtë format u mbajt më 2 gusht 2022 në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent.
Pandemia e COVID-19 dhe lufta e vazhdueshme Rusi-Ukrainë shkaktuan ndërprerje në zinxhirët e furnizimit. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Türkiye, Azerbajxhani dhe Uzbekistani themeluan këtë platformë trepalëshe për të diskutuar projektet që synojnë forcimin e lidhjes ekonomike, të transportit dhe energjisë midis vendeve që ndodhen përgjatë rrugës historike “Rrugës së Mëndafshit”.
Takimi shihet gjithashtu si një demonstrim konkret i solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë të Türkiyes me vendet e botës turke.