FFM: Nuk ka pasur urdhër për largimin e flamurit shqiptar në Shkëndija Haraçinë – Prespa
Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të bëra publike nga gazetari Furkan Saliu, lidhur me ndeshjet Vardar – Bashkimi dhe Shkëndija Haraçinë – Prespa, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe tendencioze.
Në reagimin zyrtar, FFM thekson se as institucioni dhe as presidenti Masar Omeragiq nuk kanë kërkuar apo urdhëruar largimin e flamujve shqiptarë gjatë ndeshjes Shkëndija Haraçinë – Prespa. Sipas Federatës, pretendime të tilla përbëjnë manipulim të rëndë të opinionit publik dhe tentativë për të krijuar një sfond politik aty ku ai nuk ekziston.
Sa i përket akuzave për përdorim force nga policia në ndeshjen Vardar – Bashkimi, FFM i hedh poshtë kategorikisht këto pohime. Në reagim thuhet se pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe korrekte, madje edhe në momente kur, sipas Federatës, janë përballur me sulme verbale dhe fizike nga persona të strukturave drejtuese të klubit nga Kumanova.
Federata vlerëson se përpjekjet për ta paraqitur situatën si “përdorim force” janë të qëllimshme dhe dashakeqe, ndërsa shpreh habinë për, siç thuhet, përpjekjet e gazetarit për të ndërtuar një narrativë që nxit përçarje dhe urrejtje.
Në reagim theksohet se shtrembërimi i fakteve dhe publikimi i informacioneve të pavërteta nuk përbën gazetari profesionale, por një lojë të rrezikshme me opinionin publik. Sipas FFM-së, gazetaria duhet të mbështetet në verifikim faktesh, përgjegjësi dhe qasje profesionale.
FFM njofton se dyert e saj janë të hapura për shqyrtim të fakteve dhe dokumentacionit zyrtar, përfshirë incizimet video, dhe e fton publikisht Furkan Saliun që të paraqitet në Federatë për t’u njohur drejtpërdrejt me të gjitha faktet relevante.
Në fund, Federata thekson se nuk synon të zhvillojë polemika publike apo përplasje mediatike, por paralajmëron se nëse vazhdojnë pretendimet e pavërteta dhe shpifjet, do të ndërmarrë të gjitha mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e reputacionit dhe integritetit të saj.

