Fetai: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias, duke konfirmuar se ai është plotësisht në përputhje me standardet evropiane dhe vlerat demokratike. Lajmi u bë i ditur nga Kabineti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai, i cili kryeson Delegacionin e Qeverisë, së bashku me profesorët e së drejtës kushtetuese, prof. dr. Tanja Karakamisheva Jovanovska dhe prof. dr. Jeton Shasivari.
“Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat po bëhet realitet 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit. Vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias. Punë, jo futboll në zyrat e shtetit”, ka shkruar Fetai në rrjetin social Facebook.
Komisioni i Venecias pranoi draft-versionin e ligjit në muajin korrik, pasi Qeveria kërkoi mendimin e tij për të vlerësuar përputhshmërinë e ligjit me parimet demokratike dhe të drejtat themelore.
Drafti i ligjit u përgatit nga Qeveria në qershor, rreth një vit pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi mekanizmin e njohur si “balancuesi”, në bazë të të cilit institucionet publike ishin të obliguara të kryenin punësime sipas përfaqësimit etnik në administratë.

