Fëmijët jetimë në Gaza shkruajnë ëndrrat e tyre në fluturake dhe i lëshojnë në qiell

Fëmijët jetimë në Gaza shkruajnë ëndrrat e tyre në fluturake dhe i lëshojnë në qiell

Në bregdetin e Kampit të Refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, fëmijët që kanë humbur nënat dhe baballarët e tyre shkruan ëndrrat e tyre në fluturake dhe i lëshuan ato në qiell.

Në aktivitetin e realizuar nga shoqata me seli në Francë HuSoMe, fëmijët shkruan emrat dhe ëndrrat e tyre mbi fluturaket.

Përfaqësuesja e shoqatës në Gaza, Fehime el-Caberi, në një deklaratë për Anadolu tha se këtë aktivitet e organizuan për të lehtësuar efektet psikologjike të sulmeve izraelite mbi fëmijët dhe për t’u dhënë moral.

Caberi theksoi se aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Ëndrrat e atij që mbetet i vetëm”, i nisur në korrik 2025 gjatë kohës kur lufta vazhdonte, dhe se aktivitetin e zhvilluan së bashku me 35 fëmijë të grupit “ata që mbetën të vetëm”.

Duke theksuar se u kanë dhënë shpresë këtyre fëmijëve që kanë humbur prindërit, se u kanë siguruar strehim, ushqim dhe pije si dhe mbështetje psikologjike, Caberi tha: “Secili prej këtyre fëmijëve ka një histori të veçantë. Disa prej tyre ishin nën rrënoja bashkë me familjet e tyre. Ka pasur nga ata që kanë qëndruar nën rrënoja për një ditë të tërë”.

Caberi shtoi se duke shkruar ëndrrat e tyre në fluturake dhe duke i lëshuar në qiell, fëmijët kanë dhënë mesazhin se shpresa ende ekziston.

Lemis Kahil, e cila ka humbur prindërit dhe ka mbetur me 3 vëllezër e motra, tha se si fëmijë në kushtet e vështira në Gaza e ka të vështirë të sigurojë një mjedis të sigurt për motrat dhe vëllezërit e saj si dhe të sigurojë ushqim.

“Është e vështirë të humbasësh babanë. Është edhe më e vështirë të humbasësh nënën. Është shpallur armëpushim. Nuk është një armëpushim i plotë, por po përpiqemi të përshtatemi me kushtet”, tha ajo.

MARKETING