Federata serbe e përmend ndeshjen e vitit 2014 ndaj Shqipërisë si një nga arsyet e vendimit për ndryshim stadiumi

Federata serbe e përmend ndeshjen e vitit 2014 ndaj Shqipërisë si një nga arsyet e vendimit për ndryshim stadiumi

Zhvendosja e ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë nga Beogradi në Leskovac është shoqëruar edhe me një komunikatë zyrtare nga Federata e Futbollit të Serbisë.

Sipas federatës serbe, vendimi është marrë pas analizave të detajuara të të gjitha aspekteve që lidhen me organizimin e një ndeshjeje të kategorizuar si me rrezikshmëri të lartë.

Federata ka theksuar se përparësi absolute ka siguria, jo vetëm e tifozëve, por mbi të gjitha e lojtarëve dhe të gjithë akterëve të përfshirë në ndeshje. Në komunikatë kujtohet se përvoja e hidhur e vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja mes dy kombëtareve u ndërpre pas incidentit me dronin dhe sulmeve ndaj lojtarëve shqiptarë, është ende një arsye shtesë për kujdes maksimal. Pas asaj ndeshjeje, e cila u regjistrua 3-0 për Shqipërinë pas një procesi të gjatë.

“Arsyeja kryesore është e sigurisë. Jo vetëm të publikut, por mbi të gjitha të lojtarëve dhe të gjithë akterëve të ndeshjes. Një ndeshje e tillë sjell shkallën më të lartë të rrezikut dhe kërkon kontroll të plotë në mënyrë që të evitohen incidentet që kemi pasur rastin t’i shohim në ndeshjet dy ekipeve.Të gjithë i kujtojmë mirë ngjarjet dhe pasojat nga Beogradi në vitin 2014”, shkruan në komunikatën e federatës serbe.

Fillimisht, Federata serbe kishte planifikuar që ndeshja e 11 tetorit të zhvillohej në Beograd, por pas vlerësimeve të reja u vendos që një zgjidhje më e sigurt ishte zhvendosja e saj në stadiumin “DuboCica” të Leskovcit.

Një arsye tjetër e përmendur nga federata është mbështetja e fortë që Serbia ka marrë në këtë qytet në ndeshjet e kaluara, duke e parë si një atmosferë më të përshtatshme dhe më të sigurt për zhvillimin e takimit.

Federata serbe ka pranuar gjithashtu se për një kohë të gjatë është nën mbikëqyrje nga organet disiplinore të FIFA-s dhe UEFA-s për shkak të incidenteve në tribuna, duke pranuar se ekziston rreziku real i dënimeve të rënda, madje edhe i pezullimeve afatgjata.

Në fund, federata ka falënderuar UEFA-n dhe FSHF-në për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin konstruktiv në marrjen e këtij vendimi. /Telegrafi/

 

MARKETING