Fatmir Bytyqi: Qeveria po i gënjen qytetarët për pagat dhe pensionet

Fatmir Bytyqi: Qeveria po i gënjen qytetarët për pagat dhe pensionet

Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në emisionin “Debat në SHENJA” ka akuzuar qeverinë aktuale se po manipulon opinionin publik duke pretenduar se ka realizuar rritje të pagave dhe pensioneve. Sipas tij, ajo që po paraqitet si rritje, në fakt është vetëm harmonizim i detyrueshëm ligjor, i lidhur me normat e inflacionit dhe koston e jetesës.

Bytyqi theksoi se çdo qeveri duhet të funksionojë në bazë të strategjive afatgjata, përfshirë strategjinë fiskale pesëvjeçare, e cila sipas tij është shkelur nga ekzekutivi aktual. Ai deklaroi se buxheti i miratuar ka dalë jashtë kornizave të strategjisë fiskale dhe se kjo ka çuar në rritje të deficitit buxhetor.

“RMV ka një strategji fiskale pesëvjeçare që siguron disiplinë financiare. Kjo qeveri solli një buxhet jashtë kësaj strategjie dhe rezultati është se shtetit i mungojnë 700 milionë euro,” tha Bytyqi, duke shtuar se vetë qeveria më herët kishte parashikuar një mungesë prej 580 milionë eurosh.

Ai paralajmëroi se kjo mungesë e mjeteve financiare do të rëndojë gjeneratat e ardhshme dhe e cilësoi atë si gabimin e parë madhor të ekzekutivit. Sipas tij, gabimi i dytë është keqinformimi rreth pagave dhe pensioneve.

“Nuk ka rritje të pagave dhe pensioneve. Ka vetëm harmonizim të detyrueshëm ligjor për shkak të inflacionit,” u shpreh ai. /SHENJA/

MARKETING