Fabregas thërret Messin te Como: Jemi shumë miq, kurrë mos thuaj kurrë…

Messi te Como? Një ëndërr, një ide romantike, një çmenduri, por ndoshta vetëm për momentin. Sepse shenjat që nxisin një transferim të bujshëm të argjentinasit buzë liqenit po shtohen dita-ditës. Vetëm një javë më parë, bashkëshortja e Leo Messit u pa në tribunat e stadiumit “Sinigallia”, ndërsa fëmijët e tij luajtën një ndeshje miqësore me fanellat e Comos.
Tani është radha e Cesc Fàbregas, trajneri aktual i Comos, ish-shok skuadre i Messit te Barcelona dhe një nga miqtë më të ngushtë të tij, ai që “hedh benzinë mbi zjarr”… “Messi te Como? Kurrë mos thuaj kurrë… Jemi shumë miq, ka qenë për pushime në shtëpinë time, bashkëshortet tona janë shumë të lidhura”, – u shpreh Fàbregas në konferencë për shtyp.
Pak fjalë, por të mjaftueshme për të ndezur fantazinë dhe pasionin. Sepse në Como, këto kohë, çdo gjë duket e mundur. Pronësia indoneziane ka investuar mbi 100 milionë euro dhe është bërë protagoniste absolute e merkatos. Paratë nuk mungojnë dhe, siç kanë treguar arabët, mes “fjalës e veprës” nuk ka më as det…, në këtë rast as liqen. Ka vetëm një shifër me shumë, shumë zero. Kurrë mos thuaj kurrë…