Europol, arrestohet në Brazil një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë

Europol, arrestohet në Brazil një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë

Europol njoftoi se një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë dhe 15 të dyshuar të tjerë u arrestuan në Brazil këtë javë në një operacion të madh ndërkombëtar kundër një grupi të krimit të organizuar që trafikonte kokainë midis Brazilit dhe Evropës, raporton Anadolu.

Sipas Europol-it, personi i akuzuar si kreu i bandës është një shtetas serb me banim në Brazil dhe konsiderohet “një nga objektivat më të rëndësishëm të Europolit brenda kartelit OTF Ballkanik për shkak të rolit të tij në organizimin e dërgesave të shumta të drogës midis kontinenteve”.

“Kjo seri arrestimesh në Brazil shënon një fitore të rëndësishme në luftën kundër grupeve kriminale të Ballkanit Perëndimor që veprojnë në mbarë botën”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet evropiane, braziliane dhe amerikane kanë bashkëpunuar për të mbledhur dhe ndarë informacione mbi të dyshuarit për një vit e gjysmë.

Europol tha se në orët e para të 5 tetorit, një seri bastisjesh u kryen në vende të ndryshme në Brazil, si Sao Paulo, Ceara dhe Parana.

Disa nga 16 të arrestuarit besohet se kanë lidhje me organizatën kriminale “Primeiro Comando da Capital”.

Europol deklaroi se hetuesit brazilianë arritën ta lidhnin këtë grup kriminal me dy sekuestrime të fundit të kokainës. Një nga 5.7 ton kokainë në një varkë peshkimi në Cape Verde në prill 2022 dhe tjetra prej 1.3 ton kokainë po ashtu në një varkë peshkimi në Fortaleza, Brazil në gusht 2022.

Në këto dy raste janë arrestuar gjithsej 12 të dyshuar – dhjetë shtetas të Brazilit dhe dy shtetas të Malit të Zi.

MARKETING