Është ndarë çmimi shtetëror “22 Nëntori”
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot është ndarë çmimi shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2023. Fituesit e çmimit këtë vit janë Prof. Dr Agim Vinca, studiues dhe shkrimtar dhe Amet Selmani, shkrimtar.
Çmimet u dorëzuan nga profesor Dr. Mixhat Polozhani, i cili në fjalimin e tij e theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.
“Ne na mbetet ta ruajmë dhe ta përmirësojmë edhe më shumë gjuhën shqipe, por edhe duke shqiptuar më mirë zanoret, si dhe drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve. Shpresojmë që çmimi 22 Nëntori, i cili jepet për nder të historisë shqiptare, të jetë një nxitje edhe më e madhe në të ardhmen”, tha Polozhani.
Doktor Agim Vinca tha se Kongresi i Manastirit i vitit 1908, në të cilin u mor vendimi për një alfabet të unifikuar në gjuhën shqipe, kontribuoi në fillimin e epokës moderne të shkrimit dhe kulturës shqipe.
“Me këtë ngjarje përfundon periudha e shkrimit shqip me alfabete të shumta dhe fillon epoka moderne e shkrimit dhe kulturës shqipe. Ne intelektualët shqiptarë kemi më shumë arsye të krenohemi me Kongresin e Manastirit dhe të afirmojmë idetë e tij, të cilat kanë vlerë për kohën tonë. Sepse, në Manastir në nëntor 1908 “Vjeshta e tretë”, elita intelektuale shqiptare, duke vendosur njëzëri për alfabetin latin si ABC e gjuhës sonë amtare, vërteton edhe një herë orientimin evropian, ose më mirë properëndimor, të shqiptarëve si popull”, theksoi Vinca.
Ai shtoi se intelektualët e kanë për obligim të ruajnë frymën e bashkëpunimit, tolerancës dhe mirëkuptimit që mbizotëronin në ditët e Kongresit.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi si dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Çmimi “22 Nëntori” u ndahet si mirënjohje njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në vend, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërpersonale dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.