Është arritur marrëveshje e përkohshme me transportuesit privat, nesër ose pasnesër pritet mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit
Koordinatori i grupit këshilldhënës të VMRO-DPMNE-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Martin Stojanovski, sonte pas takimit me transportuesit privat informoi se kanë bërë propozim për rritje të çmimit për kilometër nga 70 deri në 100 denarë në periudhën nga 1 dhjetori deri në maj të vitit të ardhshëm. Ai kërkoi që sa më shpejt të thirret mbledhje e jashtëzakonshme e Qytetit të Shkupit, në të cilën ky propozim do të vihet në rend dite. Përfaqësuesit e transportuesve privat shprehen të kënaqur me propozimin, heqin dorë nga bllokada e paralajmëruar, por nuk do të qarkullojnë gjatë ditës së nesërme.
“Kemi bërë një propozim që do të inicojmë një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të vetëm pranimin e kushteve të transportuesve privat për rritjen e çmimit për kilometër, që nga maji i vitit 2025. Siç u informuam nga transportuesit privat, çmimi është 69 deri në 70 denarë për kilometër. Propozimi ynë është ndryshuar me vendim të Këshillit, që nga muaji maj të jetë 100 denarë për kilometër, derisa të zgjasë pjesa e parë e kontratës”, tha Stojanovski.
Ai shtoi se transportuesit privatë e kanë pranuar propozimin dhe ka theksuar se shpreson që seanca e jashtëzakonshme të mbahet nesër ose pasnesër dhe së bashku me këshilltarët e tjerë do ta votojnë propozimin.
Një rritje e tillë, siç theksoi ai, nuk do të thotë rritje e çmimit të biletës që paguajnë qytetarët.
Stojanovski: Propozuam të rritet çmimi për kilometër në njëqind denarë deri në maj për transportuesit privat, nuk do të ketë rritje të çmimit për qytetarët
“Shpresoj që kryetarja e qytetit të Shkupit Danella Arsovska ta vendosë këtë nismë në rend dite dhe ta pranojë këtë propozim, që më së voni deri të hënën të kemi transportues privat në rrugë. Bëj thirrje për mendje të shëndoshë të të gjithë kolegëve të mi këshilltarë dhe mendje të shëndoshë të kryetares së qytetit për shlyerjen e borxhit ndaj transportuesve privat, sepse pak kohë më parë u njoftova se disa prej transportuesve privat nuk u janë shlyer borxhet që nga muaji i pestë, dhe për disa nga muaji i gjashtë”, tha Stojanovski.
I pyetur nëse ka buxhet të mjaftueshëm për sigurimin e këtyre mjeteve, Stojanovski u përgjigj se do të kërkojnë ndryshime në buxhetin për muajin dhjetor.
“Për muajin dhjetor do të kërkojmë ndryshim të buxhetit, sepse ka mbetur edhe një muaj deri në fund të vitit, ndërsa për muajt janar-maj do të ketë një buxhet të ri që do të votohet në dhjetor. Duhet të sigurohen mjete dhe të dedikohen për rritjen e çmimit për kilometër për transportuesit privat, në mënyrë që të shfrytëzohen për pagesë, në mënyrë që qytetarët të mos presin më në stacione në temperatura nën zero”, shtoi Stojanovski.
Përfaqësuesi i transportuesve privat, Jovica Zafirovski, pas takimit tha se po heqin dorë nga bllokadat që i paralajmëruan për të hënën, duke theksuar se propozimi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së është i shkëlqyer.
“Bëjmë thirrje për mbledhje gjatë gjithë kohës, që të na thërrasë kushdo, që t’i tregojmë njëri-tjetrit konkretisht problemin tonë. Çmimi ynë për kilometër është i ulët, nuk kemi raporte të verifikuara, kemi borxh, vetëm kërkojmë zgjidhje për problemet tona, duam të jemi shërbim për qytetarët në qytetin e Shkupit. Propozimi është i shkëlqyer, ne e pranojmë. Edhe pse është masë e përkohshme, besojmë se në negociatat e mëtutjeshme me qytetin dhe këshilltarët do të votohet një zgjidhje e përhershme”, tha Zafirovski.
Në pyetjen e një gazetari nëse do të qarkullojnë nesër, ai është përgjigjur se me siguri nuk do ta bëjnë, por shpreson se nga e hëna të jenë sërish në rrugët e Shkupit.
“Duhet të koordinohemi me transportuesit tanë, ju e dini që jemi të rraskapitur financiarisht. Ne duhet të shohim nëse mjetet do të na paguhen, të shohim se çfarë thotë qyteti për këtë dhe pasi të bëjmë konsultimin, do të marrim një vendim që kur të fillojmë të qarkullojmë. Shpresoj që nga e hëna në vend të bllokadave do të jemi në rrugët e Shkupit dhe do të jemi në shërbim të qytetit të Shkupit”, shtoi Zafirovski.