Escobar: Marrëveshja e Ohrit mund të sjellë një epokë të re të marrëdhënieve paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme. “Nëse zbatohet siç duhet, mendoj se kjo mund të sjellë një epokë të re të marrëdhënieve paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Ai thotë se ai pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.
Escobar vlerësoi përparimin e qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës lidhur me këtë çështje.
Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit në intervistë për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën shqipe) tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës nëse ato janë të lira dhe të ndershme dhe theksoi se i ka kërkuar Listës Serbe që të luajë rolin e saj.
Një muaj pas arritjes së marrëveshjes e Ohrit (mes Kosovës dhe Serbisë), i vetmi përparim është formimi i Komitetit të Përbashkët të Monitorimit në Bruksel. Cili është vlerësimi juaj për procesin deri tani?
Escobar: Para së gjithash, dua të them se kjo ishte një marrëveshje e jashtëzakonshme. Është një marrëveshje për normalizim dhe marrëdhënie të mira paqësore sipas standardeve evropiane, sipas kornizës evropiane, mes dy palëve që do t’i karakterizoja si dy fqinjë armiqësorë. Kjo ishte ajo që donim. Kështu që unë do të thoja se kjo në vetvete ishte një arritje e jashtëzakonshme. Nëse zbatohet siç duhet, mendoj se kjo mund të sjellë një epokë të re të marrëdhënieve paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Përvoja në Ballkan tregon se arritja e një marrëveshjeje nuk do të thotë që problemet janë zgjidhur. Zbatimi është çështja kryesore. Ku qëndrojmë në këtë drejtim?
Escobar: Duhet të them se kemi ndërmarrë, ose me saktë Bashkimi Evropian me ndërmjetësimin e këtij dialogu, ka parashtruar një agjendë agresive në bazë të së cilës shpresoj të kemi një kalendar të zbatimit të të gjitha pikave brenda vitit.
I ashtuquajturi Asociacioni i komunave me shumicë serbe mbetet një nga temat kryesore. A ka pasur ndonjë përparim në lidhje me këtë?
Escobar: Unë do të thosha po. Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra.
A ka një plan kohor në lidhje me Asociacionin dhe ndoshta me zbatimin e marrëveshjes në tërësi?
Escobar: Kur të dy udhëheqësit të takohen në maj, do të doja të shihja një projekt-plan nga qeveria e Kosovës.
A doni të thoni se asgjë nuk është dorëzuar ende?
Escobar: Deri tani nuk pritej ndonjë gjë, por shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret.
Le të flasim pak për zgjedhjet në veri të Kosovës. Në një intervistë të mërkurën, ju thatë se Uashingtoni është i gatshëm të njohë rezultatin, pavarësisht nëse Lista Serbe i bojkoton ato. A jeni i shqetësuar për legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve nëse ata nuk marrin pjesë?
Escobar: Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre. Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë.