Erdoğan: Netanyahu ashtu si Hitleri duhet të ndalohet nga aleanca e njerëzimit

Erdoğan: Netanyahu ashtu si Hitleri duhet të ndalohet nga aleanca e njerëzimit

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ndalojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahy, siç bëri breza më parë me diktatorin nazist Adolf Hitler, raporton Anadolu.

“Qëndrimi i Izraelit ka treguar edhe një herë se është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të zhvillojë një mekanizëm mbrojtës për civilët palestinezë”, tha presidenti Erdoğan në fjalimin e tij në takimin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që po mbahet në New York.

“Ashtu si u ndalua Hitleri nga aleanca e njerëzimit 70 vjet më parë, Netanyahu dhe rrjeti i tij i vrasjeve duhet të ndalohet nga aleanca e njerëzimit”, theksoi Erdoğan.

– Erdoğan: Türkiye luan një rol konstruktiv për mirëqenien dhe paqen e Ballkanit

Para fjalimit të tij, Erdoğan shprehu kënaqësinë që e pa përfaqësuesen e Palestinës në OKB në “vendin që e meriton mes vendeve anëtare, pas përpjekjeve të gjata”.

“Uroj që ky hap historik të jetë etapa e fundit në rrugën e anëtarësimit të Palestinës në OKB. Gjithashtu ftoj shtetet e tjera, që nuk e kanë bërë ende këtë, të njohin shtetin e Palestinës sa më parë dhe të qëndrojnë në anën e duhur të historisë në këtë periudhë shumë kritike”, shtoi ai.

Erdoğan tha se ai është lideri i një vendi që nuk është larg tensioneve, por pikërisht në “epiqendrën e tyre”.

“Edhe nëse disa ndihen të pakëndshëm, edhe nëse disa do të na kritikojnë edhe një herë, unë dëshiroj të them hapur sot disa të vërteta, në emër të njerëzimit, nga foltorja e përbashkët e njerëzimit”, tha ai.

Presidenti turk kritikoi OKB-në, e cila siç tha ai, po përpiqet të përmbushë misionin e saj themelues dhe “po kthehet gradualisht në një strukturë jofunksionale, të ngathët dhe inerte”.

“Ne jemi dëshmitarë se paqja dhe siguria ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për t’u lënë në arbitraritetin e pesë të privilegjuarve”, theksoi ai.

Erdoğan prej kohësh ka bërë thirrje për reforma në OKB, duke përdorur shpesh moton “Bota është më e madhe se pesë”, duke iu referuar anëtarësimit jo përfaqësues të Këshillit të Sigurimit.

“Jo vetëm fëmijët, por edhe sistemi i OKB-së po vdes në Gaza”

Duke iu referuar sulmit izraelit në Rripin e Gazës, Erdoğan kujtoi se më shumë se 41 mijë palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori i vitit të kaluar, kur Izraeli filloi ofensivën e tij të pamëshirshme. Ai theksoi se më shumë se 17 mijë fëmijë kanë qenë shënjestra e plumbave dhe bombave izraelite.

“Si rezultat i sulmeve të Izraelit, Gaza është bërë varreza më e madhe në botë për fëmijët dhe gratë. Qindra fëmijë të Gazës kanë vdekur deri më tani, sepse nuk kanë mundur të gjejnë një kafshatë buke të thatë, një gllënjkë ujë apo një tas supë dhe ata ende po vdesin”, tha Erdoğan.

“Në Gaza nuk po vdesin vetëm fëmijët… po vdes edhe sistemi i OKB-së, po vdes e vërteta, po vdesin vlerat që perëndimi pretendon të mbrojë, po vdesin një nga një shpresat e njerëzimit për të mundësuar në një botë më të drejtë”, theksoi presidenti turk.

“Ndaloni këtë mizori, këtë barbarizëm”

“A nuk janë qenie njerëzore ata në Gaza, ata në Bregun Perëndimor? Fëmijët në Palestinë, a nuk kanë të drejtë të mësojnë, të jetojnë dhe të luajnë në rrugë?”, pyeti Erdoğan.

Presidenti turk kërkoi nga Këshilli i Sigurimit të parandalojë “gjenocidin” në Gaza dhe të “ndalojë këtë mizori, këtë barbarizëm”.

“Çfarë prisni më shumë për të ndalur rrjetin e masakrës që rrezikon edhe jetën e qytetarëve të vet së bashku me popullin palestinez dhe e tërheq të gjithë rajonin në luftë për hir të perspektivës së tij politike”, shtoi ai.

Ai gjithashtu kritikoi vendet që mbështesin “pa kushte” Izraelin.

“Deri kur do të vazhdoni të mbani turpin të shikoni këtë masakër, të jeni bashkëpunëtorë të saj”, pyeti ai.

Derisa fëmijët po vdesin në Gaza, Ramallah dhe Liban, dhe foshnjat po vdesin në inkubatorë, tha Erdoğan, komuniteti ndërkombëtar ka dhënë gjithashtu një “llogari shumë të keqe për veten”.

Ai theksoi se ajo që po ndodh në Palestinë është një “tregues i një shkatërrimi të madh moral”.

“Dëshiroj gjithashtu të shpreh me zë të lartë dhe qartë një të vërtetë. Duke shpërfillur të drejtat themelore të njeriut, qeveria izraelite po praktikon spastrim etnik, një gjenocid të hapur kundër një kombi, një populli dhe po pushton territorin e tyre hap pas hapi”, tha presidenti Erdoğan.

“Arsyeja e vetme për agresionin e Izraelit kundër popullit palestinez është “mbështetja e pakushtëzuar” e një grushti vendesh për Izraelin”, tha ai, duke shtuar se vendet që kanë ndikim mbi Izraelin “po bëhen në mënyrë të hapur bashkëpunëtorë të kësaj masakre me politikën e vrapimit me lepurin, gjuetisë me zagarë”.

“Ata që supozohet se po punojnë për një armëpushim në qendër të vëmendjes, vazhdojnë të dërgojnë armë dhe municion në Izrael pas skenës, në mënyrë që ai të vazhdojë masakrat e tij. Kjo është mospërputhje dhe jo-sinqeritet”, shtoi ai.

Erdoğan kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të njohë Qipron Turke

Më tej, presidenti turk kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të njohë Republikën Turke të Qipros Turke (TRNC).

“Barazia sovrane dhe statusi i barabartë ndërkombëtar i turqve qipriotë, të cilat janë të drejtat e tyre të qenësishme, duhet të rikonfirmohen dhe izolimit duhet t’i vijë fundi. Sot i bëj thirrje edhe një herë komunitetit ndërkombëtar të njohë Republikën Turke të Qipros Veriore dhe të vendosë me të marrëdhënie diplomatike, politike dhe ekonomike”, tha Erdoğan.

Ai tha se tha se për dekada kanë qenë gjithmonë turqit qipriotë dhe Türkiye që kanë treguar një “vullnet të sinqertë për të sjellë një zgjidhje të drejtë, të përhershme dhe të qëndrueshme” për çështjen e Qipros.

“Modeli i federatës tashmë ka humbur plotësisht vlefshmërinë e tij. Ka dy shtete të ndara dhe dy popuj të ndarë në ishull”, theksoi ai.

Lufta Rusi-Ukrainë

Lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, presidenti Erdoğan tha se, “Derisa lufta në Ukrainë po arrin në vitin e tretë, ne ende jemi larg paqes. Derisa gara e armatimeve përshpejtohet, hapësira e diplomacisë gradualisht po ngushtohet”.

Por, shtoi ai, “ne përsëri në këtë proces do të vazhdojmë ta zbatojmë me përpikëri Konventën e Ngushticave të Montreux-it”.

MARKETING