Erdoğan: Inteligjenca turke zbuloi rrjetin e spiunazhit të Izraelit; ky është vetëm hapi i parë

Erdoğan: Inteligjenca turke zbuloi rrjetin e spiunazhit të Izraelit; ky është vetëm hapi i parë

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se Türkiye dita ditës po përmirëson pozitën e saj si një fuqi me ndikim si një aktor në “tabelën globale të shahut”, raporton Anadolu.

Erdoğan mori pjesë në “Aktivitetet e Përvjetorit të 97-të të Themelimit të MIT-it” në kompleksin “Kale” të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës (MIT).

Në fjalën e tij, presidenti Erdoğan vuri në dukje se po përjetojnë krenarinë e arritjes në përvjetorin e 97-të të MIT-it dhe më tej uroi mëshirën e Allahut mbi martirët që kanë humbur jetën gjatë detyrës dhe uroi shëndet për anëtarët veteranë.

Duke vënë në dukje se në 21 vitet e fundit kanë kaluar ditë shumë kritike dhe se kanë kapërcyer me nder, vështirësi dhe pengesa të mëdha, Erdoğan tha: “Gjatë gjithë këtyre proceseve, personalisht kam dëshmuar jo vetëm përpjekjet, guximin dhe patriotizmin e anëtarëve tanë të MIT-it, por edhe ndjenjën e tyre të lartë të detyrës, njohuritë intelektuale dhe aftësitë analizuese”.

“Këtu dua të përgëzoj secilin nga anëtarët tanë të MIT-it që herë sakrifikojnë familjet, herë të dashurit e herë shëndetin. Lutem që Zoti të mos lejojë që e keqja të prekë asnjë prej tyre”, tha Erdoğan, i cili shtoi se e di shumë mirë se si heronjtë e fshehur të MIT-it i kryejnë detyrat e tyre me shumë përkushtim.

– “Jemi në përpjekje për të zhvilluar dhe për të garantuar sigurinë e shtetit tonë”

Duke theksuar se Türkiye ndodhet në një rajon që është pikërisht në qendër të konkurrencës së fuqisë globale në aspektin ekonomik, politik dhe ushtarak, Erdoğan tha:

“Shumica dërrmuese e krizave që zënë agjendën e njerëzimit ndodhin në afërsi të vendit tonë. Ndërsa jemi të rrethuar nga një unazë zjarri, ne përpiqemi të zhvillojmë vendin tonë dhe të garantojmë sigurinë e shtetit tonë. Në këtë periudhë ku pasiguria është në rritje, vendi ynë po bën që emri i tij të përmendet për sukseset e tij në fushën ekonomike, ushtarake, diplomatike dhe të inteligjencës. Në pikën e arritur, pothuajse të gjithë e pranojnë këtë fakt se Türkiye dita ditës po përmirëson pozitën e saj si një fuqi me ndikim si një aktor në tabelën globale të shahut. Fatmirësisht. pretendimi ynë për një Türkiye të fortë në tryezë dhe në terren tashmë po bëhet realitet bashkë me të gjithë elementët e saj”.

– “Nuk veprojmë me shqetësimin se çfarë thonë të tjerët”

Erdoğan tha se përkundër pretendimeve të disa njerëzve se në Türkiye është përjetuar zhvendosje e aksit, Türkiye e ka gjetur aksin e saj të vërtetë pas një kërkimi të gjatë.

“Emri i këtij aksi është aksi i Türkiyes. Nuk veprojmë si më parë me shqetësimin se ‘Çfarë do të thonë të tjerët?’. Çdo vendim që marrim në politikën e brendshme dhe të jashtme, çdo politikë që zbatojmë, e përcaktojmë tërësisht me në qendër Türkiyen” shtoi Erdoğan.

Presidenti Erdoğan theksoi se ata kërkojnë të bëjnë atë që kërkojnë interesat e kombit, atë që i duhet Türkiyes, pavarësisht se çfarë thotë dikush.

“Ne mbrojmë me guxim interesat e kombit tonë, si në diplomaci, ashtu edhe në fushën ushtarake, me hapat e duhur në kohën e duhur. Operacionet tona ushtarake në veri të Sirisë janë një shembull i qartë i kësaj. Operacionet tona të vazhdueshme në veri të Irakut janë një shembull i kësaj. Mundësimi i arritjes së lirisë së bashku me vëllezërit tanë azerbajxhanas pas gati 30 vitesh pushtim në Karabak janë një shembull i kësaj. Mbështetja jonë për qeverinë legjitime të Libisë, me të cilën kemi lidhje të lashta, janë një shembull i kësaj. Vullneti ynë i fortë për të mbrojtur ‘Atdheun tonë të Kaltër’ (Mavi Vatan) nga Egjeu në Detin e Zi dhe Mesdheun Lindor është një prej tyre. Është e mundur të shtohet numri i këtyre shembujve”, deklaroi Erdoğan.

Në fjalën e tij, presidenti turk theksoi se bashkë me zgjerimin e gamës së produkteve vendase dhe kombëtare të industrisë së mbrojtjes, u forcuan mjetet, kapacitetet dhe aftësitë e kryesisë së MIT-it, së bashku me ushtrinë dhe policinë.

“Rezultatet pozitive të kësaj ne mund t’i shohim shumë qartë, kryesisht në luftën tonë kundër organizatave terroriste. Kryesia jonë e MIT-it është në ballë të institucioneve që përdorin mjete ajrore pa pilot në mënyrë efektive. Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës me rrjetin e saj të gjerë të burimeve dhe pajisjet me teknologji të avancuar e ka bërë të pamundur që terroristët të marrin frymë. Me operacionet tona precize të Inteligjencës në Siri dhe Irak e kemi bërë të ashtuquajturën udhëheqje të PKK-së të paaftë të dalë nga strofullat e saj. Agjencia jonë e inteligjencës nuk po merret më me grupet e tyre të parëndësishme, ajo po përpiqet të shkatërrojë tërësisht udhëheqjen dhe lufta kryhet në këtë mënyrë”, deklaroi Erdoğan.

Ndërkohë, lidhur me operacionet e ndërmarra nga MIT-i, presidenti Erdoğan theksoi: “Ne jemi të vetëdijshëm se qëndrimi i drejtë dhe i mprehtë që Türkiye ka paraqitur përballë krizave rajonale, veçanërisht masakrat në Gaza, ka shqetësuar disa njerëz dhe ka prishur planet e tyre. Intensifikimi i aktiviteteve të spiunazhit kundër vendit tonë së fundmi është vetëm një nga manifestimet e këtij shqetësimi. Natyrisht, edhe ne nuk qëndrojmë duarkryq përballë këtyre. Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, me operacionet e saj krenare, i tregon gjithë botës se nuk është kështu. Inteligjenca jonë, e cila zbuloi rrjetin e spiunazhit të Izraelit në vendin tonë, u ka dhënë përgjigje shumë të qartë atyre që na kërcënojnë. Sigurisht kjo e ka befasuar seriozisht Izraelin në mënyrën se ‘Si i keni mbledhur këto, i keni marrë, i keni kapur’ etj… Ndaluni pak, ky është hapi i parë i kësaj pune. Türkiyen do ta njihni, nuk e keni njohur ende, por jeni të destinuar ta njihni”.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet turke të sigurisë ndërmorën një operacion të madh, duke arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për spiunazh për shërbimin e inteligjencës izraelite.

MARKETING