Erdoğan: Është shumë e rëndësishme që të gjithë votuesit të votojnë për të treguar fuqinë e demokracisë turke

Erdoğan: Është shumë e rëndësishme që të gjithë votuesit të votojnë për të treguar fuqinë e demokracisë turke

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, në deklaratë për mediat pas votimit është shprehur se është shumë e rëndësishme që të gjithë votuesit të shfrytëzojnë të drejtën e votës pa asnjë shqetësim, për të treguar fuqinë e demokracisë turke, raporton Anadolu.

Presidenti Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan votuan në kutinë e votimit 3279 në shkollën “Saffet Çebi” për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që mbahen në Türkiye.

Në një deklaratë për mediat pas votimit, Erdoğan tha se shpreson në demokracinë turke, duke shtuar se është duke i ndjekur zhvillimet që nga mëngjesi. “Sipas informacioneve që kam marrë nga ministri i brendshëm, procesi deri më tani ka vazhduar dhe vazhdon pa ndonjë incident, pa u shënuar ndonjë problem”, shtoi ai.

– Erdoğan, rezultatet e zgjedhjeve do t’i ndjekë nga Istanbuli

Duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të votimit edhe në zonat e goditura nga tërmeti, presidenti Erdoğan u shpreh:

“Qytetarët tanë në zonën e tërmetit po votojnë me entuziazëm dhe dashuri të madhe. Deri më tani atje nuk ka ndonjë problem. Shpresoj që pas numërimit në mbrëmje, t‘i lutemi Krijuesit për një të ardhme më të mirë për vendin tonë, kombin tonë dhe demokracinë turke. Është shumë e rëndësishme që të gjithë votuesit të votojnë pa asnjë shqetësim deri në orën 17.00, për të treguar fuqinë e demokracisë turke”.

Erdoğan u uroi suksese dhe përgëzoi të gjithë anëtarët dhe kryetarët e komisioneve të kutive, duke shtuar se rezultatet e zgjedhjeve do ti ndjekë nga Istanbuli.

Pas votimit, presidenti Erdoğan u përshëndet me qytetarët në sheshin e shkollës të cilët e mirëpritën përzemërsisht dhe pas një bisede të shkurtër me ata, ai u largua me automjetin e tij.

Nga ana tjetër, interes të madh për votimin e presidentit Erdoğan kanë shfaqur edhe mediat e huaja.

Shumë gazetarë që mbërritën në shkollë në orët e para të mëngjesit kryen transmetime të drejtpërdrejta.

MARKETING