Elmazi: Ne e dimë çfarë i mungon Sarajit, koha e mashtrimeve ka mbaruar

Në një konferencë për shtyp, Muhamet Elmazi, kandidati i VLERËS (VLEN) për Komunën e Sarajit, prezantoi vizionin e tij për zhvillimin e komunës, duke theksuar dështimet e udhëheqjes aktuale dhe duke premtuar ndryshim rrënjësor.
“Elmazi u shpreh: ‘Unë nuk vij sot vetëm si kandidat, por si dikush që ka kaluar nëpër Bojanë, ka dëgjuar problemet e banorëve të Kondovës, ka parë mungesën e investimeve në Radushë dhe Bukoviq, dhe ka ndarë jetën e përditshme me komunitetet e Shishovës, Çajlanës, Gërçecit, Lubinit dhe çdo fshat tjetër të kësaj komune. Ne e dimë se çfarë i mungon Sarajit, sepse jemi pjesë e tij.’”
Ai kritikoi ashpër premtimet e pambajtura të pushtetit lokal, duke theksuar: “Është turp që pas 20 vitesh ende të diskutojmë për ujë të pijshëm, rrugë të papërfunduara, mungesë çerdhesh dhe investimesh bazike. Realizimi i programit 2021–2025 është nën 5%. Saraji ka përfunduar këtë mandat pa asnjë projekt kapital të realizuar.”
Megjithatë, kandidati solli edhe një mesazh shprese: “Ndërsa komuna ka dështuar, qeveria e re VLEN ka sjellë brenda vetëm një viti pesë projekte kapitale për Sarajin, me një vlerë mbi 318 milionë denarë: ujësjellës në Llaskarcë, rrugë të reja në Rashçe dhe Kopanicë, sallë multifunksionale, si dhe investime mbrojtëse në Gllumovë dhe Arnaqi.”
Duke folur për të ardhmen, Elmazi paraqiti vizionin e tij për Sarajin: “Ne nuk duam që të rinjtë të largohen, por të ndërtojnë jetën këtu. Matka nuk duhet të jetë e mbytur në baltë, por të kthehet në një qendër turistike të njohur në nivel shtetëror. Liqeni i Treskës nuk duhet të jetë turp për ne, por zemra pulsante e Sarajit. Ky është vizioni ynë — një Saraj me ujë 24 orë në ditë, rrugë të rregulluara, shkolla moderne, kulturë, sport dhe zhvillim ekonomik për të gjithë.”
Në përmbyllje, Elmazi u drejtoi një mesazh të qartë qytetarëve: “Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Koha e rrenave ka mbaruar. Koha e Sarajit ka ardhur! Së bashku do ta kthejmë Sarajin nga komuna e premtimeve të dështuara në komunën e shpresës dhe zhvillimit. Saraji nuk do të mbetet më në harresë — Saraji do të fitojë!”