“E kanë votuar ‘Zajednicën’, e kanë amnistuar kriminelët serbë” – Kurti kritikon disa deputetë pas dështimit të 24-të të seancës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe sot të konstituohet, në përpjekjen e tij të 24-të radhazi. Në seancë nuk është arritur të miratohet formimi i komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pas dështimit të 24-të, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili edhe ka kritikuar disa deputetët që po e pamundësojnë kuorumin e Kuvendit për votim të fshehtë, transmeton Telegrafi.
“Gruaja të cilën më së shumti e ka votuar populli në zgjedhjet e 9 shkurtit është Albulena Haxhiu. Në vend se ta respektojnë popullin e luftojnë Albulenën. Dhe kush e bën këtë? E bëjnë edhe 10 deputetë që sot janë në opozitë dhe e kanë votuar ‘Zajednicën’ me 27 qershor 2013; po ashtu 10 deputetë që sot janë në opozitë e kanë votuar amnistimin e kriminelëve serbë në veri me 11 korrik 2013; më tej, 7 deputetë opozitarë sot, me 3 gusht 2015 e patën votuar Gjykatën Speciale; dhe, 15 deputetë opozitarë që janë tani e patën votuar demarkacionin me Malin e Zi me 21 mars 2018”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi tutje “E këta deputetë të papenduar për këto 4 votime aq të këqija nuk e votojnë Albulena Haxhiun, dhe bile ia pamundësojnë kuorumin Kuvendit për votim të fshehtë. 5 deputetë opozitarë i kanë votuar të katërtat këto të këqija, kurse Albulena asnjërën prej tyre”.
Ndryshe, as në seancën e sotme nuk u arrit të konstituohet Kuvendi i Kosovës, pasi dështoi miratimi i propozimit për formimin e komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi subjektet politike të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por që propozimi sërish dështoi.
Ky komision do t’i hapte rrugë votimit për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares.