Dy lëndë në Gjykatën Kushtetuese për “Safe City”
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka hapur dy lëndë pas iniciativave të dorëzuara për vlerësimin e disa dispozitave të Ligjit për Kundërvajtje.
Sipas njoftimit, iniciativat kanë të bëjnë me ndryshimet në ligj që lidhen me funksionimin e sistemit elektronik të mbikëqyrjes në trafik, të njohur si projekti “Qytet i Sigurt – Safe City”.
Lënda e parë, me shenjën У.бр.25/2026, konteston disa nene të Ligjit për Kundërvajtje të miratuar më 23 janar 2026. Parashtruesit e iniciativës vlerësojnë se me këtë projekt qytetarëve u imponohet detyrimi të kenë numër personal telefoni dhe adresë elektronike për të pranuar njoftime për kundërvajtje. Ata gjithashtu theksojnë se nuk është paraparë përdorimi i gjuhëve sipas Kushtetutës gjatë komunikimit elektronik.
Sipas iniciativës, sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, gjë që, sipas parashtruesve, krijon pabarazi mes qytetarëve dhe vë në fokus kryesisht popullsinë shqiptare në këto qytete.
Nga Gjykata Kushtetuese bëjnë të ditur se lënda e dytë është hapur me iniciativë të Ylli Paçukut.

