Durmishi: Marzhë e kufizuar për pothuajse të gjitha produktet nëse tregtarët i rrisin sërish çmimet

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi paralajmëron kufizimin e marzhave për pothuajse të gjitha produktet ose rritjen e vlerave të kufirit të marzhave nëse pas përfundimit të masës qeveritare, që zgjat deri pasnesër, Inspektorati Shtetëror i Tregut konstaton sjellje devijuese sipas tregjeve dhe rritje enorme të çmimeve.
Durmishi sot në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve përsëriti se kufizimi i marzhave deri 10 për qind ka dhënë rezultate dhe ka ulur çmimet e ushqimeve dhe pijeve. Ai paralajmëroi se do të ketë masa më rigoroze nëse, siç tha ai, “tregtarët nuk sillen siç duhet”.
“Masa përfundon në fund të këtij muaji, të mërkurën, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se po jep rezultate, gjegjësisht në muajin mars kemi inflacion prej 2,7 për qind, ndërsa në krahasim me shkurtin kemi deflacion prej 1,3 për qind, në pjesën e ushqimeve dhe pijeve çmimet janë ulur. Të njëjtat informacione tregojnë se këtë muaj çmimet në sektorin e ushqimeve dhe pijeve kanë pësuar rënie, kështu që kjo masë po jep rezultate. Me Inspektoratin Shtetëror të Tregut (ISHT) do të jemi në terren, do të monitorojmë çmimet, nëse ka sjellje devijuese nga ana e tregjeve apo nëse ka rritje enorme të çmimeve, natyrisht do të vazhdojmë me masa të reja. Nëse tregtarët nuk sillen siç duhet ose përsëri i rrisin çmimet, do të ketë masa më të rrepta se sa kemi tani. Nëse, për shembull, tani janë të mbuluara 102 grupe të produkteve bazë ushqimore dhe jo ushqimore, do të thotë se do të mbulojmë edhe më shumë grupe – do të mbulojmë pothuajse gjithçka me vendimin që do të marrim, do të mbulojmë pothuajse të gjitha produktet që kanë rrjetet e marketeve, duke kufizuar marzhat në të gjitha ato produkte ose vlera e kufizimit të marzhit do të jetë më e madhe”, tha Durmishi.
Në propozimin e Ministrisë së Ekonomisë më 20 mars zbatohet marzha e kufizuar bruto fitimi për 102 grupe produktesh dhe për përcaktimin e çmimeve më të larta të tetë grupeve të produkteve ushqimore, ndërsa me ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit i cili ka hyrë në fuqi më datën 18 të këtij muaji, shitësit me pakicë janë të detyruar të publikojnë çdo ditë çmimet e produkteve në ueb faqen e tyre dhe t’i përditësojini ato çdo ditë deri në orën 10. Çmimet duhet të publikohen në ueb faqe dhe të jenë të disponueshme pa regjistrim ose hyrje shtesë në faqen e internetit.
Ende është duke u analizuar nëse shporta mesatare e konsumit e përgatitur nga resori që ai drejton do t’i referohet një familje tre anëtarësh apo katër anëtarësh. Siç sqaroi Durmishi, tema është duke u diskutuar, janë duke u analizuar të gjitha të dhënat, do të merren mendime nga të gjithë përfaqësuesit në grupin punues dhe do të arrihet një qëndrim i përbashkët.
“Kemi draft-versionin në të cilën po diskutohet, ndërsa në periudhën e ardhshme sa më shpejt që të jetë e mundur do të jetë në dispozicion për qytetarët, gazetarët dhe sindikatat. Kemi krijuar një shportë konsumi mesatar shumë të mirë me të dhëna nga institucionet përkatëse, do të mbulojë të gjithë qytetarët, do të specifikojë saktësisht se cilat produkte do të konsumohen në cilën periudhë kohore dhe do të specifikojë se nga janë marrë çmimet – do të merren nga shumë shitës me pakicë, jo vetëm dy apo tre si në shportën e sindikatës, do të merret parasysh edhe sa anëtarë të familjes do të mbulohen. Ne po punojmë në këtë drejtim, grupi i punës ka dy muaj që punon, mendoj se muajin tjetër do ta kemi dokumentin, do të shqyrtohet fillimisht nga anëtarët e tjerë të Qeverisë dhe kur të përcaktohet përfaqësimi i sindikatave, do të dorëzohet në KES, do të shqyrtohet, do të votohet dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve”, deklaroi tha Durmishi, në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve pjesëmarrës në ngjarjen me rastin e shënimit të Ditës botërore të sigurisë dhe shëndetit në punë.