Dueli kundër Atletikos, Mbape: Ky është derbi im i parë, dua ta fitoj

Dueli kundër Atletikos, Mbape: Ky është derbi im i parë, dua ta fitoj

Kilië Mbape ka ardhur si një yll në Madrid. Dhe pas një nisje ashtu me hope, ka filluar të shfaqë të gjithë talentin dhe potencialin e tij. Deri më tani ka provuar shumë sfida. I mungonte dhe një tjetër, ajo e fundit…

Në formën e tij më të mirë që kur iu bashkua Realit të Madridit, sulmuesi francez do të dalë në fushë për të marrë pjesë në një ndeshje që nuk e ka luajtur kurrë më parë, derbin e qytetit. Ai humbi shansin e parë në derbin e luajtur në “Metropolitano” në fund të shtatorit të kaluar për shkak të dëmtimit… Po ashtu nuk u përball kurrë me skuadrën e Diego Simeones, qoftë kur luante me Monakon dhe më pas PSG-në në Ligën e Kampioneve. Numri 9 i Realit ka folur me “RM Play Sessions” për të analizuar një ndeshje që premton të jetë argëtuese dhe e tensionuar në të njëjtën kohë. “Do të jetë një ndeshje e madhe dhe është shumë e rëndësishme. Është hera e parë që do të luaj këtë ndeshje. Mezi pres të luaj dhe të ndihmoj ekipin dhe shpresoj që të fitojmë”, tha ai.

DERBI I PARË – “Unë gjithmonë synoj të luaj për të fituar. Jam i sigurt se do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe për të gjithë tifozët e Realit të Madridit. Objektivi është gjithmonë i njëjtë: të fitojmë. Aq më tepër kur luajmë kundër Atletikos, me situatën që kemi në La Liga, ku ata janë afër nesh. Ne duhet të fitojmë dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar”.

ROLI I TIFOZËVE – “Ata janë gjithmonë me ne. Jam i sigurt se do të ketë një atmosferë të mrekullueshme në ‘Bernabeu’, si gjithmonë. Shpresoj që ata të na ndihmojnë të fitojmë dhe të tregojmë se jemi ekipi më i mirë i qytetit”.

SHOKËT E FRANCËS TE ATLETIKO – “Unë mendoj se është më e lehtë të luash kundër njerëzve me të cilët ke një marrëdhënie të mirë, sepse ata e kanë të qartë se kjo nuk është çështje personale, sepse ata e dinë se ne luajmë për të mbrojtur fanellën që mbajmë mbi supe. Në fund të lojës ne jemi miq, por gjatë lojës ata e dinë se unë do të bëj gjithçka për Realin. Ne duhet të fitojmë”.

SPORT PASIONI – “Më pëlqen shumë basketbolli. Më pëlqen të shikoj NBA-në. Serzh Ibaka, i cili është këtu, është miku im. Unë përpiqem të shikoj edhe ekipin e Realit të Madridit”.

VENDI I PREFERUAR I PUSHIMIT – “Në shtëpi. Kur luan çdo tri ditë është shumë e rëndësishme të jesh në shtëpi duke pushuar me familjen, vetëm ose me miqtë. Udhëtojmë shumë, luajmë shumë ndeshje jashtë shtëpisë dhe kur ke mundësi të jesh në shtëpi është gjëja më e mirë e mundshme”.

JASHTË FUTBOLLIT – “Është e vështirë ta them tani se çfarë do të isha po të mos merresha me futboll. Ndoshta do të përpiqesha të bëhesha basketbollist, por jam i shkurtër për këtë sport”.

MARKETING