Drejtoria e Doganave pajiset me sistem të avancuar për analizën e rrezikut

Drejtoria e Doganave pajiset me sistem të avancuar për analizën e rrezikut

Drejtoria e Doganave është pajisur me një sistem të ri për analizën e rrezikut dhe ruajtjen e të dhënave, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm kontrollin e tregtisë dhe të parandalojë përpjekjet për krim dhe ekonominë gri. Sistemi është siguruar përmes një granti nga Republika e Koresë në vlerë prej 4.75 milionë dollarësh dhe u promovua sot.

Sipas drejtorit të Doganave, Boban Nikollovski, sistemi integron të gjitha të dhënat mbi importet, eksportet dhe tranzitin, përfshirë mallrat e akcizës, regjistrin e sekuestrimeve, si dhe kundërvajtjet dhe veprat penale. Këto të dhëna analizohen me mbështetjen e inteligjencës artificiale të avancuar.

“Sistemi identifikon dërgesat me vlera që devijojnë nga çmimet e bursës apo që janë nën mesataren e vlerës së importeve, duke i sinjalizuar doganierët për inspektim të detajuar të kontejnerëve. Qëllimi kryesor është parandalimi i mashtrimeve doganore,” theksoi Nikollovski.

Ai shtoi se sistemi i ri do të lehtësojë gjithashtu tregtinë e ligjshme, duke shkurtuar kohën e zhdoganimit dhe duke ulur kostot për kompanitë. Projekti ka nisur në vitin 2021 me një studim fizibiliteti, ndërsa finalizimi i tij sot është rezultat i bashkëpunimit dhe partneritetit të ngushtë ndërmjet dy qeverive.

Komisioneri i Shërbimit Doganor Korean, Limjon Ku, bëri të ditur se që nga viti 2008, Koreja ka implementuar sistemin elektronik të zhdoganimit UNIPAS në 16 vende, me një vlerë totale prej 329.37 milionë dollarësh. Sipas tij, projekti në Maqedoninë e Veriut ka rëndësi të veçantë, pasi është hera e parë që një sistem i tillë i Shërbimit Doganor Korean zbatohet në rajonin evropian.

“Sistemi i ri do ta pozicionojë Maqedoninë e Veriut si lidere në Ballkan për nga modernizimi doganor dhe do të shërbejë si shembull i bashkëpunimit dhe miqësisë së fortë ndërmjet dy vendeve,” deklaroi Ku, i cili ndodhet për herë të parë për vizitë në vend.

MARKETING