Dr. Nita Zeqiri dhe Dr. Bekim Fera ligjërojnë mbi Sindromën Metabolike – Kardiodiabetin, fillon cikli i trajnimeve nga OKH Merhamet
Nga organizata humanitare OKH MERHAMET është organizuar me sukses ligjërata mbi një nga temat më të rëndësishme dhe aktuale të mjekësisë, kardiodiabetin. Ky aktivitet shënoi nisjen e ciklit të trajnimeve edukative mjekësore, duke shërbyer si projekt pilot për sesionet e ardhshme që do të zhvillohen për studentët dhe nxënësit e mjekësisë.
“Hapja e ciklit u bë me fjalën përshëndetëse të bartësit të projektit, Selver Iseni, i cili paraqiti vizionin, qëllimet dhe rëndësinë e këtij programi edukativ.
Mirënjohje e veçantë për ligjëruesit tanë, Dr. Nita Zeqiri dhe Dr. Bekim Fera, për profesionalizmin, përkushtimin dhe ndarjen e përvojës së tyre përmes trajtimit praktik të rasteve mjekësore me pjesëmarrësit.
Në përmbyllje të aktivitetit, aktivistët tanë dhe njëkohësisht studentët e mjekësisë, Maida Ademi dhe Muhamed Xhaferi, shprehën falënderimet në emër të ‘Merhamet’it dhe, në shenjë respekti e mirënjohjeje, u dhuruan ligjëruesve librin Ndryshku i Kohës të Kim Mehmeti (botuar nga Logos-A). Kjo vepër përmban rrëfimin e autorit dhe vë në pah sakrificën e paraardhësve tanë.
Ky projekt vendos themelet e një programi të strukturuar dhe të qëndrueshëm trajnimesh, me synim fuqizimin e edukimit të vazhdueshëm profesional jashtëkurrikular në fushën e mjekësisë, në bashkëpunim ndërmjet doktorëve dhe studentëve.
Na ndiqni dhe bëhuni pjesë e trajnimeve të radhës që do të organizohen së shpejti!” – thonë nga OKH MERHAMET.

