Dortmundi rikthehet në garë për Ardon Jasharin, fillon kontaktet me Club Brugge

Dortmundi rikthehet në garë për Ardon Jasharin, fillon kontaktet me Club Brugge

Borussia Dortmundi ka rifilluar interesimin për mesfushorin shqiptar Ardon Jashari, duke nisur kontaktet me Club Brugge për një transferim të mundshëm këtë verë.

MARKETING

Ardon Jashari, shqiptari me pasaportë zvicerane, shihet si një nga lojtarët e preferuar të trajnerit Niko Kovac, por klubi gjerman mund të jetë vonuar në lëvizjet e tij, pasi AC Milan ka bërë hapa konkretë në bisedime.

Interesi i Dortmundit për Jasharin ishte ftohur pas transferimit të Jobe Bellingham, por tani situata ka ndryshuar. Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, drejtuesit e BVB kanë kontaktuar zyrtarisht Club Brugge.

Kjo lëvizje është bërë e mundur falë 65 milionë eurove që Dortmundi do të përfitojë nga shitja e Jamie Gittens, çka u jep më shumë hapësirë financiare për të investuar në përforcime.

Club Brugge kërkon rreth 35 milionë euro për kartonin e Jasharit, një shumë që Dortmundi është në gjendje ta përballojë nëse e sheh lojtarin si pjesë të projektit afatgjatë.

Bayer Leverkusen gjithashtu ka pasur interes për mesfushorin 22-vjeçar, por aktualisht Milani duket në pole-position për të fituar garën.

Megjithatë, Dortmundi nuk ka hequr dorë ende. Drejtori sportiv Sebastian Kehl dhe stafi i tij janë të vendosur të tentojnë deri në fund, pavarësisht përparësisë së Milanit.

 

MARKETING