Dita e 12-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët marshuan në rrugët e Tiranës

Dita e 12-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët marshuan në rrugët e Tiranës

Për të 12-ën ditë me radhë, duke filluar prej orës 18:00, qytetarët u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të protestuar kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, grumbullimi i protestuesve u bë në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas ata marshuan drejt godinës së qeverisë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij, ndërsa në tubime marrin fjalën qytetarë të ndryshëm dhe aktivistë.

Pas qëndrimit në shesh, protestuesit vijuan marshimin në formë kolone në disa akse të Tiranës, në kuadër të asaj që organizatorët e kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”.

Prej 12 ditësh, protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nuk janë raportuar incidente, ndërsa sot u vu re një numër më i vogël pjesëmarrësish se në ditët e mëparshme.

Një ditë më parë, tubimit iu bashkuan edhe mbështetës dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike.

Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 18:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.

Protesta përmbyllet çdo ditë me marshim në rrugët e Tiranës, ku kolona e protestuesve shtrihet deri në rreth dy kilometra.

MARKETING