Disfata e rëndë në transfertë, Postecoglou: Skuadrës i mungoi energjia, jo karakteri

Disfata e rëndë në transfertë, Postecoglou: Skuadrës i mungoi energjia, jo karakteri

Ecuria prej tre fitoresh radhazi e Tottenham në Premier League u ndal në transfertë teksa “Spursat” u mposhtën nga Brighton me shifrat 4-2. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ange Postecoglou u dorëzua pa kushte përballë asaj të De Zerbit, teksa pas sfidës, “timonieri” i Tottenham theksoi se ekipi i tij ndjeu lodhjen e javëve të fundit.

“Skuadra u duk e lodhur, djemtë kanë pasur shumë ngarkesë në javët e fundit. Nuk ishim në kushtet më të mira dhe pastaj dihet që Brighton është një ekip i shkëlqyer. Tentuam deri në fund që të ndryshonim diçka dhe unë e vlerësoj përpjekjen e skuadrës, kjo skuadër vazhdon të tregojë karakter.
Ajo që na mungoi ishte energjia dhe kundër një skuadre si Brighton diçka e tillë të penalizon jashtë mase. Aktualisht, kemi 10 lojtarë të dëmtuar. Por, në fushë djemtë dhanë gjithçka dhe unë nuk mund t’i kërkoj më tepër”, u shpreh Postecoglou.

MARKETING