Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përplasen për raportin mbi mbrojtjen e fëmijëve, SHBA mbron Izraelin

Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përplasen për raportin mbi mbrojtjen e fëmijëve, SHBA mbron Izraelin

Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë përplasur për një raport të OKB-së mbi fëmijët në konflikt të armatosur, me SHBA-në që mbrojti Izraelin, ndërsa anëtarë të tjerë dënuan, siç i quajtën, mizoritë izraelite ndaj fëmijëve palestinezë, transmeton Anadolu.

Përfaqësuesja e Kolumbisë në OKB, Leonor Zalabata Torres, e cila kryeson Këshillin këtë muaj, tha se raporti tregon se “forcat shtetërore” janë përgjegjëse për “numrin më të madh të shkeljeve të rënda të regjistruara gjatë vitit të kaluar”, duke veçuar Rripin e Gazës si “vendin në botë me numrin më të lartë të shkeljeve të rënda të regjistruara, shumica e tyre të atribuara” forcave izraelite.

Ajo tha se hetime të pavarura kanë dokumentuar “një model alarmant sulmesh të qëllimshme nga IDF (ushtria izraelite) kundër fëmijëve” dhe pyeti: “Çfarë arsye apo çfarë justifikimi sigurie mund të shpjegojë qëllimin e një fëmije apo një foshnjeje disa muajshe?”

Torres tha se provat tregojnë për “të njëjtin model sistematik të dehumanizimit që, në vend që të shohë një fëmijë, imagjinon një armik të ardhshëm”, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së “njohë qëllimin gjenocidal të qeverisë së Izraelit”.

Përfaqësuesi i Pakistanit në OKB, Usman Jadoon, tha se është “tronditëse që më shumë se 12.000 raste të shkeljeve të rënda janë regjistruar vetëm brenda një viti ndaj fëmijëve në territorin e pushtuar palestinez”, duke paralajmëruar se trauma psikologjike dhe mizoritë fizike që vuajnë fëmijët në situata okupimi janë “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Përfaqësuesi i Somalisë, Mohamed Rabi Yusuf, tha se raporti “zbardh një të vërtetë fatkeqe”, duke theksuar se “fëmijët po vriten, gjymtohen dhe u mohohen të drejtat e tyre themelore” në konflikte të ndryshme, me të ardhmen e tyre “të varrosur nën rrënoja, si reale ashtu edhe simbolike”.

Përfaqësuesi i Kinës, Fu Cong, përshëndeti vazhdimin e listimit të autorëve të shkeljeve të rënda ndaj fëmijëve në Gaza, Haiti dhe rajone të tjera në raport, si dhe bëri thirrje për monitorim të ngushtë të situatës në terren.

Maria Zabolotskaya nga Rusia tha se Gaza dhe Bregu Perëndimor i pushtuar kanë kryesuar “renditjen tronditëse” globale të shkeljeve të të drejtave të fëmijëve për të tretin vit radhazi. Ajo akuzoi raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së se nuk pasqyron, siç tha ajo, shkeljet ndaj fëmijëve rusë nga forcat ukrainase.

Ndërkohë, përfaqësuesja alternative e SHBA-së për çështje politike, Jennifer Locetta, nuk iu bashkua dënimeve ndaj veprimeve ushtarake izraelite kundër fëmijëve palestinezë, por tha se “fëmijët në zonat e konfliktit në mbarë botën përballen me shumë kërcënime”.

Duke iu përgjigjur kritikave ndaj Izraelit në sallë, Locetta përsëriti se përgjegjësia bie vetëm mbi Hamasin për shkeljet ndaj fëmijëve palestinezë.

“Nuk mund të flisni për situatën në Gaza pa përmendur Hamasin. Hamasi është një organizatë terroriste që përdor civilët, përfshirë fëmijët, si mburoja njerëzore”, tha ajo.

Ajo gjithashtu kritikoi raportin e OKB-së për “barazimin e gabuar të veprimeve të forcave të armatosura të SHBA-së me ato të terroristëve Houthi”, duke shtuar se dokumenti “vetëm sa forcon vendimin e SHBA-së për të mos marrë më pjesë në Zyrën e Përfaqësuesit Special për Fëmijët dhe Konfliktin e Armatosur (CAAC)”.

MARKETING