Diplomati amerikan në OKB: SHBA kundërshton aneksimin izraelit të Bregut Perëndimor

Diplomati amerikan në OKB: SHBA kundërshton aneksimin izraelit të Bregut Perëndimor

Një diplomat amerikan ritheksoi se SHBA kundërshton aneksimin izraelit të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe mbetet e përkushtuar për të ndjekur paqen dhe stabilitetin në rajon, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë një aktiviteti në selinë e OKB-së, ambasadori Jeff Bartos, përfaqësues i SHBA-së për Menaxhimin dhe Reformën në OKB, tha se Washingtoni vazhdon të punojë ngushtë me partnerët rajonal dhe ndërkombëtar për të avancuar sigurinë dhe prosperitetin në Lindjen e Mesme.

“SHBA-ja mbeten të përkushtuara për të punuar në partneritet të ngushtë me Izraelin dhe kombet kyçe arabe, si dhe me komunitetin ndërkombëtar, për të sjellë paqe, prosperitet, siguri dhe dinjitet në rajon”, tha Bartos para diplomatëve dhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Bartos tha se administrata e presidentit Donald Trump kundërshton aneksimin unilateral izraelit të territorit në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe theksoi rëndësinë e stabilitetit rajonal.

“Siç e ka bërë të qartë presidenti Trump, SHBA-ja kundërshtojnë aneksimin izraelit të Bregut Perëndimor. Stabiliteti në Bregun Perëndimor është jetik për sigurinë e Izraelit dhe përputhet me qëllimin tonë për të arritur paqe në rajon”, tha ai.

Ai shtoi se zyrtarët amerikanë vazhdojnë të jenë të angazhuar në diskutime me partnerët ndërkombëtarë për përmirësimin e kushteve të sigurisë në territor.

“Ne jemi në dialog të rregullt me partnerët për përmirësimin e stabilitetit dhe sigurisë në Bregun Perëndimor”, tha Bartos.

Diplomati amerikan gjithashtu dënoi dhunën ndaj civilëve, pavarësisht nga autorët.

“Ne dënojmë terrorizmin ose dhunën kriminale nga çdo palë kundër çdo banori në Bregun Perëndimor”, tha ai.

Bartos shtoi se SHBA vazhdon të mbështesë përpjekjet për një të ardhme ku palestinezët dhe izraelitët mund të bashkëjetojnë në paqe.

“Për më tepër, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje ku njerëzit në Bregun Perëndimor dhe Gaza jetojnë në liri, prosperitet dhe në paqe me Izraelin”, tha ai.

Takimi u organizua nga misionet e përhershme të Danimarkës, Francës, Greqisë, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për t’u dhënë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit mundësinë të dëgjojnë dëshmi mbi sfidat që prekin palestinezët në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor.

MARKETING