Dimitrovska: Komunikimi me të akuzuarin në rastin “Aditivët” nuk ka lidhje me rastin, ai është mik i imi familjar

Dimitrovska: Komunikimi me të akuzuarin në rastin “Aditivët” nuk ka lidhje me rastin, ai është mik i imi familjar

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, u prononcua me rastin e informacioneve për komunikimin e saj me një person të akuzuar në rastin “Aditiv”, duke theksuar se bisedimet nuk kanë pasur kurrfarë lidhje me lëndën. Ajo sqaroi se bëhej fjalë për komunikim miqësor, i cili është zhvilluar para fillimit të procedurës zyrtare dhe para shqiptimit të masës paraburgim për të akuzuarin. Sipas Dimovskës, përmbajtjet e ndara ishin me karakter publik dhe nuk kanë pasur pikë kontakti me çfarëdo lloj veprimesh korruptuese.

“Dua ta informoj publikun se komunikimi im me një mik familjar, i cili më vonë u bë i akuzuar në rastin ‘Aditivi’, është zhvilluar në periudhë para se të fillojë procedura për të para prokurorisë kompetente. Nga kumtesa e PTHP për NKOK shihet se komunikimi ynë ka zgjatur deri në dhjetor të vitit 2024, ose para se t’i shqiptohet masa e paraburgimit. Pas kësaj mase ndaj tij, unë ndërpres komunikimin”, bën të ditur ajo në kumtesën dërguar mediave.

Shton se bisedimet të cilat i ka zhvilluar nuk kanë përmbajtur asgjë që mund të sillet në lidhje me lëndën.

“Përmbajtja e komunikimit ka të bëjë me bisedime pa kurrfarë lidhje me lëndën ‘Aditiv’. Një pjesë e informacioneve të ndara kanë të bëjnë me dokumente publike përmbajtja e të cilave para komunikimit tonë është publikuar në publik, ndërsa pjesa tjetër është komunikim i zakonshëm miqësor”, potencoi ajo.

Në kumtesë, Dimitrovska thekson se kolegët e saj nga Komisioni nuk kanë kurrfarë lidhje me rastin, dhe se lënda nuk është ndarë te ajo, as nuk ka mundësi të ndikojë në procedurë.

“Si kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dua të theksoj se besueshmëria dhe integriteti i institucionit nuk duhet të vihen në dyshim në asnjë rrethanë. Parimi i prezumimit të pafajësisë, pra çdokush është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, si dhe parimi i sundimit të drejtësisë, duhet të respektohen. Gjashtë anëtarët e tjerë të institucionit që përfaqësoj nuk kanë lidhje me krimin për të cilin dyshohem. Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është duke u zhvilluar një procedurë për verifikimin e gjendjes së pasurisë të personit të lartpërmendur. Me ndarjen elektronike, çështja nuk më është caktuar për trajtim dhe, në përputhje me rregullat e përcaktuara, nuk kam mundësi të ndikoj në rrjedhën e procedurës ose në rezultatin e saj. Vendimet e KSHPK-së merren kolektivisht, me shumicë votash të anëtarëve”, shton ajo.

Paralajmëroi bashkëpunim të plotë me organet gjyqësore dhe respektim të të gjitha masave të kujdesit.

“Do të bashkëpunoj plotësisht me organet kompetente gjyqësore dhe pres zgjidhje të shpejtë dhe transparente të ngjarjes. Masat e kujdesit do t’i respektoj në tërësi. Deri në deklarimin përfundimtar të prokurorisë nuk do të jap deklarata publike shtesë, përveç nëse këtë e kërkojnë rrethanat, duke u nisur nga interesi i integritetit dhe transparencës institucionale. Pres që deri atëherë të respektohet integriteti i KSHPK-së, integriteti im dhe i familjes time”, thotë kryetarja e KSHPK-së.

Prokuroria Publike dorëzoi propozim për masa të kujdesit për kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, në kuadër të lëndës “Aditiv” të cilat ishin pranuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup.

Lënda “Aditiv” ka të bëjë me hetim për keqpërdorim të furnizimeve publike dhe pastrim parash lidhur me furnizimin e aditivëve për qymyr për nevojat e SHA EMV – Filiali KME Manastir dhe KME Osllomej. Akuzohen 31 persona fizikë dhe 5 persona juridikë.

Sipas prokurorisë, të dyshuarit kanë organizuar dhe kryer riregjistrimin e personave juridikë për të anashkaluar procedurat e furnizimit publik, duke u mundësuar kompanive të caktuara të marrin marrëveshje dhe të përfitojnë pasuri të konsiderueshme. 

MARKETING