Dimitrieska-Koçoska – Sllaveski: Koordinim efikas midis politikës monetare dhe fiskale për stabilitet makroekonomik

Stabiliteti aktual makroekonomik është prioritet që edhe më tej duhet të ruhet dhe përparohet përmes politikave të harmonizuara dhe të koordinuara mirë, konstatuan në takimin e sotëm ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe guvernatori i sapozgjedhur i Bankës Popullore Trajko Sllaveski.
MARKETING
Dimitrieska-Koçoska dhe Sllaveski, siç informon Ministria e Financave (MF), shkëmbyen mendime mbi sfidat aktuale ekonomike dhe shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar dhe forcuar më tej koordinimin midis Ministrisë së Financave dhe Bankës Popullore me qëllim miratimin e politikave që do të jenë të qëndrueshme dhe në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.
U theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë midis pushtetit fiskal dhe monetar në sigurimin e një mjedisi ekonomik të parashikueshëm, si një parakusht themelor për rritje më të shpejtë ekonomike. Gjithashtu, u theksua rëndësia e një qasjeje të koordinuar midis të gjithë rregullatorëve financiarë në vend, me qëllim që të mundësohet zhvillimi i mëtejshëm i një sistemi financiar të qëndrueshëm, konkurrues dhe gjithëpërfshirës, rezistent ndaj goditjeve të jashtme dhe në funksion të progresit ekonomik afatgjatë.
“Ministrja Dimitrieska-Koçoska dhe guvernatori Sllaveski shprehën gatishmëri për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm institucional, me qëllim përballimin efektiv të sfidave aktuale dhe të ardhshme ekonomike”, thekson MF.