Dimitrieska-Koçoska: Norma preferenciale e TVSH-së prej 5 për qind për qarkullimin e parë të banesave të sapondërtuara mbetet e pandryshuar
Norma preferenciale e TVSH-së prej pesë për qind për banesat e sapondërtuara do të vlejë edhe pas 1 janarit, bëri të ditur ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
“Para një muaji e shprehëm qëndrimin tonë, por ishte e nevojshme të kryhen analiza dhe hulumtime shtesë të tregut, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në krahasim me vendet e tjera. Bazuar në ato rezultate, propozuam që norma prej 5 për qind të edhe më tej. Gjithashtu jemi në proces të ndryshimit dhe plotësimit të të gjithë Ligjit për TVSH-në, ku do të propozojmë modalitete të caktuara që do të zbatohen në të ardhmen”, theksoi Dimitrieska-Koçoska në emisionin “Argument Plus” në Televizionin 24.
Potencoi se për momentin nuk ka kushte për zbatimin e një norme më të lartë, veçanërisht duke pasur parasysh se disa qytetarë kanë paguar fonde avancë ndërsa objektet janë në ndërtim.
“Që të mos dëmtohet asnjë qytetar, nevojitet një procedurë e plotë dhe e përcaktuar qartë. Për momentin nuk ka mundësi për një gjë të tillë dhe për këtë arsye propozuam të vazhdojë të vlejë ai nen që thotë se norma preferenciale prej 5 për qind do të mbetet edhe më tej”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Shtoi se edhe në vendet me norma më të larta të përgjithshme të TVSH-së, trajtimi tatimor i banesave është më i ulët, në këtë rast duke theksuar se në Slloveni norma e rregullt e TVSH-së për banesat është 9,5 për qind.
Dimitrieska-Koçoska paralajmëroi se në Ministrinë e Financave po punohet për ndryshime gjithëpërfshirëse ligjore në rregulloren tatimore, por se nuk do të ketë ndryshim në normat e taksave.
“Po i hapim ligjet një nga një. Së pari, tatimi mbi fitimin dhe tatimi personal, dhe më pas do të përfshihen edhe segmentet e tjera. Direktivat do të jenë përparësia jonë mbi bazën e të cilave do të harmonizojmë ndryshimet ligjore. Në këtë moment nuk do të ketë ndryshim në normat e taksave”, thotë Dimitrieska-Koçoska.

