Është djegur makina e Nebojsha Vukanoviqit, deputetit opozitar të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska (RS), një nga dy entitetet e Bosnjës e Hercegovinës (BeH).
Makina e Vukanoviqit, anëtar i partisë për Drejtësi dhe Rend i njohur për kundërshtimin e tij ndaj vendimeve separatiste të presidentit të RS-së Millorad Dodik, u dogj gjatë natës nga një person i paidentifikuar para shtëpisë së tij në Trebinje.
Në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Vukanoviq ndau pamje të automjetit të tij të djegur dhe për ngjarjen fajësoi Dodikun dhe administratën e tij.
Vukanoviq tha se ai është vazhdimisht në shënjestër për shkak të kritikave të tij. “Pas shumë deklaratave të shëmtuara të drejtuara ndaj meje në Asamblenë Kombëtare të RS (NSRS), automjeti im u bë i panjohur gjatë natës. Dodiku dhe administrata e tij po zhvillojnë një fushatë të shëmtuar kundër meje për shkak të qëndrimit tim kundërshtues”, tha ai.
Deputeti Vukanoviq tha se ai ka bërë ankesa penale kundër Dodikut shumë herë, por nuk ka mundur të marrë asnjë rezultat.
Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë një person të veshur me një kapele duke derdhur benzinë mbi makinën e Vukanoviqit dhe duke i vënë flakën.
Tensionet politike në Bosnjë e Hercegovinë
Dodik i cili njihet me retorikën e tij separatiste, u dënua nga Gjykata e BeH-së me 1 vit burg dhe 6 vjet ndalesë të veprimtarisë politike me arsyetimin se “nuk ka respektuar vendimet e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR)”.
Në një votim të mbajtur në NSRS menjëherë pas vendimit të gjykatës, në entitetin e RS-së u ndaluan aktivitetet e institucioneve shtetërore, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të BeH-së (VSTV), Prokurorisë së BeH-së, Gjykatës së BeH-së dhe Agjencisë së Hetimit dhe Mbrojtjes së BeH-së (SIPA).
Presidenti i RS-së Dodik i cili njoftoi se nënshkroi vendimet që janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit, deklaroi se ai nuk do t’u përgjigjet thirrjeve nga gjykata apo prokuroria pasi të “ashtuquajturat ligje” të hyjnë në fuqi dhe se do të mbrohet nga policia e RS-së.
Në mediat vendase vendimet e marra nga Dodiku dhe NSRS u cilësuan si “grusht shteti” ndërsa Gjykata Kushtetuese e BeH-së anuloi vendimet në fjalë.
Pavarësisht nga të gjitha paralajmërimet, Dodiku vazhdoi hapat e tij separatiste dhe deklaroi se në NSRS do të diskutohet për të ashtuquajturën kushtetutën e re.
Në rregulloren e re e cila vazhdon të diskutohet në NSRS, thuhet se përfshihen nene “separatiste” të tilla si “e drejta e RS-së për vetëvendosje” dhe “krijimi i Ushtrisë së RS-së”. Deputetët e opozitës në NSRS e kundërshtojnë rregulloren e re me arsyetimin se e rrezikon të ardhmen e entitetit.