Dhjetëra të vdekur nga përmbytjet në Brazil

Dhjetëra të vdekur nga përmbytjet në Brazil

Autoritetet në shtetin brazilian të San Paulos thanë se së paku 36 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut.

Video-pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë lagje nën ujë, autostrada të përmbytura dhe grumbuj të mëdhenj mbeturinash.

Ekipet e shpëtimit janë duke bërë përpjekje për të arritur te të mbijetuarit dhe për t’i zhbllokuar rrugët.

Më shumë se 600 milimetra shi ranë në disa zona të dielën – dyfishi i sasisë së pritur për muajin shkurt.

“Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nuk po arrijnë në disa vende. Është situatë kaotike”, tha Felipe Augusto, kryebashkiak i qytetit të goditur rëndë, San Sebastiao.

Sipas zyrtarëve, qindra familje kanë mbetur pa strehë.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, tha se do t’i vizitojë zonat e prekura gjatë ditës së sotme.

“Ne do t’i bashkojmë të gjitha nivelet e qeverisjes dhe, me solidaritetin e shoqërisë, do t’i trajtojmë të prekurit, do t’i kërkojmë të zhdukurit, do t’i rregullojmë autostradat, lidhjet e energjisë dhe telekomunikacionet”, shkroi da Silva në Twitter.

Në zonë priten reshje të tjera të dendura shiu, të cilat rrezikojnë t’i përkeqësojnë kushtet për ekipet e emergjencës.

Ngjarjet ekstreme të motit, të tilla si përmbytjet, pritet të bëhen më të zakonshme gjetiu, për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike.

Vitin e kaluar, shiu i rrëmbyeshëm në qytetin juglindor të Petropolisit në Brazil la më shumë se 230 njerëz të vdekur./REL

MARKETING