Dhjetë persona të dyshuar për shitblerje të makinave lukzove, detaje nga aksioni policor
Pas zhvillimit të procedurës paraprake dhe bazuar në provat e siguruara, Prokuroria Themelore Publike Shkup do të ngre procedurë kundër gjithsej 10 personave për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë marrë pjesë në akte të kontrabandës, të falsifikimit të dokumenteve dhe dokumenteve zyrtare si dhe në fshehjen e mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe në mashtrim doganor, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
“Personat, gjatë viteve 2021 dhe 2022, me dokumente false dhe me numra falsë, kanë futur në vend makina të cilat kanë qenë lëndë e hetimit ndërkombëtar, si dhe makina të cilat në formë ndryshe i kanë ikur kontrollit doganor.
Ata i regjistronin automjetet këtu dhe një pjesë për disa herë ndërmjet vete i kanë rishitur që ta fshehin kontrabandën, pas së cilës ua shitën përdoruesve të fundit.
Në mesin e të dyshuarve janë edhe dy persona zyrtarë – të punësuar në shërbimet administrative për regjistrim të automjeteve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Bëhet e ditur gjithashtu se njëri nga të dyshuarit është shtetas i Republikës së Greqisë dhe për të, bazuar në bashkëpunimin paraprak mes Prokurorisë Themelore Publike Shkup dhe organeve greke, ndjekja penale do të kalojë në Republikën e Greqisë.